Parulla anti Bollano në sheshe
GJIROKASTER
Parulla anti Bollano në Gjirokastër. Disa afishe të ngjitura mëngjesin e djeshëm në rrugët e qytetit të gurtë u kanë drejtuar qytetarëve thirrje nacionaliste. Që nga ngritja për mbrojtjen e Shqipërisë dhe deri te firmosja e një peticioni për shkarkimin e kreut të Bashkisë së Himarës, Vasil Bollano.
“Eja o shqiptar kudo ndodhesh, eja mblidhuni për të kundërshtuar ofendimin, përbuzjen, poshtërimin nga ata që shesin edhe shpirtin për t’u bërë shërbëtor i djallit”, ishte shkruar në thirrjen e ngjitur në sheshet dhe rrugët publike të qytetit, autorësia e së cilës ishte anonime. “Ejani, për Himarën, ejani për Shqipërinë, për nderin, për krenarinë tonë, për atë që e kemi mbrojtur me gjak ndër shekuj, me atë gjak që është dhe mbetet kuq e zi. Eja për të mos e lënë Himarën të bëhet blu…”. Letrat e ngjitura në vendet e dukshme të qytetit janë lexuar nga banorët e Gjirokastrës. Sipas thirrjes së bërë nga hartuesit e kësaj parulle, “duhet të reagohet kundër atyre që i dhamë respektin, mikpritjen shqiptare dhe tani na ofendojnë në votrat tona …O shqiptar, po si mund të durosh kur të thonë që gjaku yt është bardhë e blu, të të poshtërojnë, në shtëpinë tënde, në sy të botës. Ti që ke dhënë jetën, shpirtin për këto troje, nipër të atyre heronjve që u dogjën, u përvëluan, u vranë, u martirizuan për ty…”, shkruhej mes të tjerash në këtë thirrje. Duke konkluduar, në këtë letër bëhej thirrja “Mjaft më! Mjaft më poshtërimit, mjaft më greqizimit, o sot o kurrë për shqiptari, për Himarën kuq e zi”. Ndonëse nuk ka asnjë autor se kush është iniciatori i letrës dhe shpërndarjes së tyre, ai ka arritur të bëjë dhe thirrje publike qytetarëve, këtë herë në Gjirokastër. “Firmosni peticionin për shkarkimin e Vasil Bollanos, për vrasësin e Himarës, vrasësin e shqiptarisë. Eja, eja dhe ti”, përfundon thirrja, e cila nuk përcakton nëse është bërë nga individë të veçantë apo organizata që mund të veprojnë konkretisht në hartimin e një peticioni me banorët e Gjirokastrës. Kjo mënyrë e vendosjes së “trakteve” nëpër qytetin e Gjirokastrës është shndërruar në një zakon për banorët e saj. Me rastin e përvjetorit të lindjes së ish-diktatorit Enver Hoxha në tetor, ishin shënuar nëpër mure grafite me thirrje të ndryshme. Ndërsa rasti tjetër ishte vendosja nëpër mure e kopjes së lejes së ndërtimit që institucionet shtetërore të Gjirokastrës kishin dhënë për ndërtimin e pallatit shumëkatësh që provokoi tragjedinë e 9 nëntorit, në lagjen “11 Janari”.