Grinden pas festës së shkollës, plagoset me thikë 16-vjeçari
FIER - Një sherr mes të rinjve për pak sa nuk ka përfunduar në tragjedi. Ngjarja ka ndodhur në fshatin Marinëz të komunës Kuman në rrethin e Fierit. Sipas policisë së Qarkut të Fierit, një 16- vjeçar është plagosur me dy thika në këmbë nga një bashkëmoshatar i tij, ndërsa ishte në një mbrëmje argëtimi me shokët e klasës. Shkak për këtë, sipas policisë, mendohet të jetë bërë një sherr mes të rinjve, i lindur në moment gjatë festimit me rastin e përfundimit të mësimit për këtë vit dhe për të pritur festat e fundvitit. Ndërsa i plagosuri ndodhet në spitalin e Fierit nën kujdesin e mjekëve, policia ka ndaluar të dyshuarin që qëlloi me thikë adoleshentin dhe po heton për të gjetur motivin e kësaj ngjarjeje. Burime të spitalit të Fierit dhe të Komisariatit të Policisë bëjnë me dije se, K.Ruko, 16 vjeç, ka qenë në festë me shokët e klasës. Pikërisht këtu ai ka debatuar me një bashkëmoshatar me emrin A.Naka. Debati i nisur në festën që zhvillohej në një lokal të fshatit Marinëz ka vazhduar edhe gjatë kohës kur dy të rinjtë ishin duke pirë kafe me shokët e përbashkët. Sipas burimeve policore mësohet se 16-vjeçari Ruko ka dashur një sqarim me autorin, por ky i fundit ka rinisur të debatojë ashpër, derisa në nxjerrjen e një thike, me të cilën e qëlloi në përleshje e sipër. Dy plagë në këmbën e majtë ka i lënduari, për të cilat është dërguar me urgjencë në spitalin e Fierit. Mjekët kanë deklaruar se plagët e thella që kishte marrë Ruko nga fshati Marinëz kanë bërë që ky i fundit t’i nënshtrohet një ndërhyrjeje më të specializuar mjekësore. Policia ka shkuar në vendin e ngjarjes, duke bërë të mundur identifikimin e autorit dhe arrestimin e tij. m.r