Bode në Devoll: “Synojmë të trefishojmë investimet në bujqësi”
“Vijmë para jush për t’ju thënë që të votoni PD-në jo për atë që kemi bërë, pasi ajo është e prekshme dhe e dukshme, por për atë që do të bëjmë në 4 vitet e ardhshme”, - u është drejtuar kandidati për deputet në qarkun e Korçës Ridvan Bode banorëve të komunës Progër, në rrethin e Devollit, gjatë një takimi elektoral. Duke folur për realizimin e investimeve në rrethin e Devollit, Bode është shprehur se në 4 vitet e qeverisë demokratike Devolli ka ndryshuar ashtu si gjithë Shqipëria, ndërsa premtoi trefishimin e i investimeve në bujqësi gjatë mandatit të dytë qeverisës. “Programi ynë elektoral synon trefishimin e fondeve për zhvillimin e bujqësisë dhe në këtë kuadër do të përfitojë edhe rrethi i Devollit dhe gjithë rajoni i Korçës”, - tha më tej ai.
Olldashi në Fier: “Tregu industrial do të ketë standardet e qendrave tregtare”
Kryesuesi i listës së kandidatëve të Partisë Demokratike në qarkun e Fierit, Sokol Olldashi, ishte në tregun industrial të qytetit, ku pa nga afër kushtet ku ushtrojnë aktivitet privat 300 tregtarë. Në bashkëbisedim me tregtarët, Olldashi, pasi i falënderoi tregtarët për kontributin e tyre financiar në drejtim të shtimit të buxhetit lokal të Bashkisë, tha se pas datës 28 qershor, në cilësinë e deputetit të qarkut të Fierit, do të ushtrojë presionin e duhur institucional mbi Bashkinë e Fierit me qëllim që kjo e fundit t’u krijojë kushtet e domosdoshme për tregtim. “Duke qenë se tregu përshkohet nga lumi Gjanicë, Bashkia duhet të ndërhyjë për të sistemuar lumin, në mënyrë që tregu të mos rrezikojë kurrsesi përmbytje”, - tha Olldashi.
Cara dhe Vokshi në Durrës: “Në mandatin e dytë do të rriten investimet”
Kandidatët e Partisë Demokratike në Durrës, Igli Cara dhe Albana Vokshi, deklaruan se në mandatin e dytë qeverisës do të rriten investimet në qytetin bregdetar. Ata thanë se gjatë mandatit të parë qeverisës të Partisë Demokratike, në Durrës u investua 10 herë më shumë se në 8 vitet e socialistëve. Në bashkëbisedimin me banorët e Lagjes 10 në Durrës, Igli Cara dhe Albana Vokshi theksuan reformat e qeverisë “Berisha”, që mundësuan dyfishimin e pagave, pensioneve, investimet në infrastrukturë, anëtarësimin në NATO dhe aplikimin për statusin e vendit kandidat për në BE. Kandidatët e PD-së në Durrës, Vokshi dhe Cara, u bënë thirrje votuesve që të rikonfirmojnë në pushtet Partinë Demokratike për të vazhduar reformat që do të realizojnë ëndrrën e shqiptarëve anëtarësimin në BE.
18 Qershor 2009