E Diel, 1 Nëntor 2026

Reagon kryetari i Konfederatës së Punonjësve, Nikolla: “Fushata ka zbrazur zyrat”



Gjatë ditës së djeshme ka reaguar kryetari i Konfederatës së Punonjësve për përfshirjen e administratës në fushatë. Sipas kryetarit Kolë Nikolla, kjo fushatë ka bërë që nëpër zyra të mos gjesh as drejtorë dhe as specialistë. “Po vëmë re që drejtues dhe punonjës të ndryshëm të pushtetit vendor dhe qendror po përfshihen dhunshëm në fushatë. Në ministri të ndryshme të gjithë drejtoritë janë duke u marrë me fushatën dhe vënë në dispozicion të saj jo vetëm punonjësit, por edhe mjetet motorike”, - u shpreh Nikolla. Kreu i Konfederatës thotë se kjo ka dhe një kosto të madhe, pasi automjetet që përdoren në fushatë furnizohen me karburant nga institucionet. Kreu i Konfederatës thotë se një studim i tyre tregon se nëpunësit angazhohen në mitingje kundër dëshirës së tyre, veprime këto në kundërshtim me të drejtat e njeriut dhe Kodin e Punës. Për këtë arsye ai kërkon nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të ndërhyjë për t’i dhënë fund kësaj situate.
“Ne i bëjmë thirrje KQZ-së të ndërhyjë për të ndaluar këtë fenomen, ndërkohë që për këtë çështje do t’i dërgojmë një letër edhe ambasadorit Lohan”, - u shpreh Nikolla.

18 Qershor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›