E Shtunë, 31 Tetor 2026

Drejtorët e PD-së u kërkojnë para buxhetorëve për fushatën

Financimi i fushatës, PD-ja u merr zarfe me lekë nëpunësve. Punonjësit kërcënohen se do të hiqen nga puna nëse kundërshtojnë

Eljona Ballhysa
Pasi i kanë përdorur në çdo lloj mënyre nëpunësit e administratës në funksion të fushatës elektorale, kërkesa më e fundit e PD-së është financimi i zgjedhjeve. Burimet kanë bërë të ditur se drejtorët e emëruar nga PD-ja në institucione shtetërore në qytete dhe komuna të ndryshme të vendit kanë ndërmarrë fushatë “gjobitjesh” të punonjësve të institucioneve që drejtojnë. Drejtorët e filialeve të Postës, të OSSH-së, të Tatim-Taksave, të ujësjellësve u kanë kërkuar punonjësve që të fusin në një zarf 100-200 mijë lekë të vjetër dhe të kontribuojnë për fushatën e PD-së. Edhe drejtoritë arsimore në ato rrethe, që drejtohen nga funksionarë të PD-së, u kanë kërkuar mësuesve që të paguajnë para në mbështetje të fushatës së Partisë Demokratike.
Kërkesa
Kjo është kërkesa më e fundit e selive të PD-së veçanërisht në qytete të vogla apo komuna të ndryshme të vendit. Pasi e kanë detyruar administratën e institucioneve lokale të mbushë sheshet gjatë mitingjeve duke braktisur zyrat dhe funksionin në shërbim të qytetarëve, detyrimi më i paprecedent në këtë fushatë është që nëpunësit të zbrazin xhepat. Lajmi bëhet i ditur nga vetë punonjësit e këtyre institucioneve, të cilët kërkojnë të mbeten anonimë për shkak se rrezikojnë vendin e punës. Ata bëjnë të ditur se janë ndjerë të habitur kur titullari i institucionit shtetëror, i cili prej muajsh është angazhuar me fushatën e PD-së duke braktisur zyrën shtetërore, i ka kërkuar që në një zarf të fusin aq para sa kanë mundësi, (d.m.th. 100-200 mijë lekë të vjetër), për “të kontribuuar për partinë”. Megjithëse kërkesa nuk është dhënë në formë urdhri, kjo është zbatuar nga shumica e nëpunësve për shkak se pasojat janë mjaft të qarta: humbasin vendin e punës. Nëpunësit bëjnë të ditur se titullari është treguar i kujdesshëm dhe nuk ua ka mbajtur paratë nga rroga, por ua ka kërkuar në formën e ndihmesës që atyre “u takon” të japin për partinë. Ata bëjnë të ditur se në rast se kjo kërkesë nuk zbatohet, ata pushohen nga puna.
Strategjia
Gjatë zhvillimit të kësaj fushate zgjedhore strategjia e ndjekur nga drejtuesit dhe funksionarët e PD-së në rrethe të ndryshme të vendit ka qenë shfrytëzimi në maksimum i administratës. Përveçse kanë përdorur çdo mjet shtetëror, duke filluar që nga ambientet ku zhvillohen takimet partiake, makinat shtetërore, karburanti që blihet me paratë e taksapaguesve etj., drejtuesit i kanë urdhëruar nëpunësit e administratës që t’i lënë zyrat bosh dhe të mbushin sheshet në çdo miting. Ndërsa disa nëpunës i kanë mbajtur nga pas duke shfrytëzuar njohjet personale që ata kanë në lagje të ndryshme. Po kështu i kanë urdhëruar nëpunësit që të shkojnë në çdo shtëpi për të realizuar sondazhe se kush do të votojë për PD-në dhe për të ndarë karta identiteti falas për votuesit e PD-së. Kanë zhvilluar takime me gjimnazistët e viteve të treta, që kanë mbushur moshën 18 vjeç, dhe u kanë premtuar se do t’i kalojnë në provime në rast se votojnë për PD-në. Të gjitha këto janë realizuar duke përdorur kërcënimin e largimit nga puna.

Bëmat
Detyrimi i nëpunësve, të ndjekin aktivitetet elektorale
“Rrëmbimi” me furgonë dhe dërgimi në qytete të ndryshime ku zhvillohej mitingu
Dhënia e kartave të identitetit falas për mbështetësit e PD-së
Kërcënimi se do t’i heqin nga puna në rast se nuk financojnë për partinë
Premtimi se do të kalojnë në provime nxënësit mbetës
Përdorimi i makinave shtetërore në fushatë dhe mjeteve të ndryshme që blihen me paratë e taksapaguesve
Detyrimi i mjekëve dhe infermierëve që të mos takojnë kandidatët e opozitës

18 Qershor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›