Berisha, drekë për trupin diplomatik, Uidhers: Ke mbështetjen e SHBA-së
Ambasadori amerikan, Xhon.L.Uidhers, inkurajon Kryeministrin Sali Berisha për vijimësinë e reformave që kanë të bëjnë me integrimin euro-atlantik të Shqipërisë. Gjatë drekës së shtruar dje nga Kryeministri Berisha me ambasadorët e NATO-s e të BE-së, diplomati amerikan vuri në dukje se zhvillimet e fundit në NATO dhe në BE kanë të bëjnë me të ardhmen e tyre. Uidhers vlerësoi se anëtarësimi i Shqipërisë në NATO pasuron më tej vlerat e Aleancës. “Por kjo, - u shpreh më tej Uidhers, - ka të bëjë edhe me të ardhmen e Shqipërisë, e cila po merr atë që meriton dhe që i është mohuar për një kohë të gjatë”. “E vlerësoj punën dhe përkushtimin e Kryeministrit Berisha për vazhdimin e reformave të domosdoshme dhe kjo ka të bëjë me të ardhmen dhe e ardhmja e Shqipërisë është e shndritshme”, - tha ambasadori i SHBA-së në Tiranë. Kryeministri siguroi ambasadorët e vendeve anëtare të NATO-s dhe të BE-së për vijimin e reformave, të cilat i vlerësoi si jetike për Shqipërinë, por në të njëjtën kohë edhe si thelbësore për plotësimin e standardeve të NATO-s dhe BE-së. Gjatë drekës me ambasadorët e vendeve anëtare të NATO-s dhe BE-së të akredituar në Tiranë z.Berisha u shprehu mirënjohjen e thellë vendeve anëtare të NATO-s dhe BE-së për mbështetjen që i kanë dhënë Shqipërisë në procesin e integrimit. “Dua të shpreh mirënjohjen time të thellë për ju dhe për vendet tuaja, të cilat firmosën Protokollin e Anëtarësimit të Shqipërisë në NATO. Ky ishte një moment tepër historik, siç deklaroi edhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jap de Hup Shefer”, - tha Kryeministri Berisha. “Sot, - vijoi më tej Kryeministri, - për mua dhe për Shqipërinë është një ditë e veçantë, sepse pak orë më parë ne ishim në aeroportin e Rinasit së bashku me ambasadoren e Francës dhe ambasadorin e Italisë për të përcjellë së bashku dy kontigjente ushtarake shqiptare në Herat dhe në Xhamena, një forcë simbolike në një moment shumë të rëndësishëm nën flamurin e NATO-s dhe të BE-së”.