E Shtunë, 31 Tetor 2026

Uidhers: Vetëm takim kokë më kokë me Uaksmanin



Ambasadori nuk kontakton me stafin e kongresmenit

Afati i raportit ishte deri të mërkurën në darkë

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Tiranë, Xhon Uidhers (Jonh Withers) nuk ka kontaktuar me stafin e kongresmenit Henri Uaksman (Henry A. Waxman), siç i kishte kërkuar ky i fundit në një letër të para dy ditëve. Ambasadori i ka qëndruar kërkesës së tij të mëparshme drejtuar kongresmenit, ku i bënte të ditur se do të bënte dëshminë e tij mbi hetimet për regëtinë e armëve mes Shqipërisë dhe SHBA-së vetëm në një takim kokë më kokë me të. Sipas një njoftimi zyrtar të djeshëm nga selia e ambasadës amerikane në Tiranë, bëhet e ditur se “ambasadori Uidhers është në pritje të takimit ballë për ballë me kryetarin e Komitetit për Mbikëqyrjen dhe Reformat”. Kjo deklaratë nënkupton hapur se ambasadori nuk i është përgjigjur kërkesës së dytë të bërë nga kongresmeni që kryeson hetimin për kontaktime me stafin e këtij komiteti. Uaksmani ia kishte bërë këtë kërkesë si një përgjigje ndaj letrës së mëparshme të Uidhersit. Në letrën e tij, ambasadori amerikan shkruante: “Në shenjë respekti do të dëshiroja një takim ballë për ballë me ju për të prezantuar historinë e vërtetë të aktiviteteve të ambasadës amerikane lidhur me kompaninë AEY dhe për të hedhur poshtë akuzat e lëshuara ndaj reputacionit të një kuadri të përkushtuar që shërben në ambasadën amerikane në Shqipëri”. Ky takim kërkohej për të sqaruar akuzat që kongresmeni kishte bërë ndaj ambasadorit dhe stafit të tij për përfshirje në atë që në Amerikë po cilësohet si skandali i shitjes së armëve. Akuza bënte fjalë për një takim mes ambasadorit Uidhers dhe ish-ministrit të Mbrojtjes Fatmir Mediu, ku sipas dëshmive që dispononte komiteti, zyrtari shqiptar i kishte propozuar atij heqjen e etiketave kineze nga municionet dhe ai e ka miratuar. Por, në një sqarim të gjatë që bënte Uidhers pak ditë më parë në “Los Angeles Times” e pranonte takimin, por shtoi se “ai dhe zyrtarë të tjerë amerikanë të pranishëm në takim nuk dhanë asnjë shenjë me të cilën të tregonin se ata aprovonin këto ide, duke sugjeruar vetëm se Mediu duhet të përgatiste një përgënjeshtrim ndaj artikullit pas publikimit”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›