E Hënë, 2 Nëntor 2026

Ibraj e Dervishi, takim për vrasjen te "Green Moon"

05/06/2005  Familjarët pohojnë se skanë pasur probleme, autorët të paidentifikuar

TIRANË- Vrasja e punonjësit të sigurisë në pub "Green Moon", Sajmir Voga, vlerësohet maksimalisht si ekzekutim mafioz nga krerët e policisë. Vetë drejtori i Policisë së Shtetit, Bajram Ibraj dhe kreu i bluve të Tiranës, Albert Dervishi, kanë pasur një takim para dy ditësh në ambientet e brendshme të Komisariatit numër 2, ku janë interesuar personalisht rreth ecurisë së hetimeve paraprake të ekspertëve të kriminalistikës në zbardhjen e emrave të autorëve të ngjarjes dhe shkaqeve që çuan në këtë ekzekutim. Mësohet se specialistët u kanë raportuar shefave të tyre disa nga pistat e pakta të kësaj ngjarjeje, e cila, gjithsesi ka si motiv kryesor vetëm një sherr të disa javëve më parë, mes viktimës dhe disa frekuentuesve të pub-it, të cilët dyshohet se janë nga Laçi. Oficerët e policisë kanë pyetur punonjësit e tjerë të pub-it, të cilët kanë sqaruar se Voga kishte pasur një konflikt me disa klientë në fillim të punës së tij, afro një muaj më parë. Ndërkaq nga hetimi është konstatuar se dy personat që kanë bashkëpunuar në vrasjen e 30-vjeçarit Voga, kanë qenë të parapërgatitur. Madje, ata kanë siguruar edhe një pistoletë me silenciator, për të patur mundësinë të kryenin krimin dhe të largoheshin me “Benzin” e zi pa rënë në gjurmë të policisë.

Hetimet

Burime të Komisariatit numër 2 thanë se zbulimi i autorëve të kësaj vrasjeje vështirësohet për shkak se viktima ishte i ri në këto ambiente. "Askush nuk e njihte mirë personalisht, pasi ishte tip i rreptë, me karakter të ashpër. Kjo na e bën më të vështirë identifikimin e autorëve, të cilët ende nuk e dimë se kush janë", thonë burimet. Ndërsa nga ana tjetër, familjarët e tij kanë ardhur nga Durrësi për të dhënë dëshmitë e tyre, ku nuk kanë pranuar se Voga kishte ndonjë konflikt, apo edhe fisi nuk njihte hasmëri të vjetër. Në fillim të punës, rreth një muaj më parë, mësohet që punonjësi i sigurimit të kishte pasur konflikt për shkak të detyrës me disa të rinj, të cilët kishin provokuar vetë sherrin. Ata kishin qenë klientë në pub dhe, pasi kishin bërë rrëmujë, Voga ishte detyruar t’i nxjerrë jashtë e të debatojë me ta për shkak të detyrës që kryente. Burimet e policisë thonë se Voga nuk kishte pasur konflikt personal me ata të rinj, të cilët ishin të panjohur për të gjithë, por se gjithçka e kishte bërë për detyrën që kryente.

Ngjarja

Në mesnatën e së enjtes, rreth orës 24.00, dy persona ndaluan pranë pub-it. Njëri prej të tyre nxori një pistoletë me silenciator dhe ka qëlluar mbi Sajmir Vogën. Menjëherë ata janë larguar me vrap drejt rrugës së Tiranës së Re, ku i ka pritur një autoveturë me të cilën janë larguar pa lënë gjurmë. Një plumb në trup dhe një në kokë kanë qenë fatal për jetën e 30-vjeçarit Sajmir Voga, i cili, ndonëse është shoqëruar menjëherë në spital, nuk ka arritur dot të shpëtojë. Plaga e rëndë që kishte marrë në kokë, ka bërë që të ndërrojë jetë mëngjesin e djeshëm. Voga banonte në Qytetin Studenti, ndonëse familja jetonte në Durrës. Sipas policisë, 30-vjeçari Voga kishte afro një muaj që kishte filluar punë aty dhe se kishte pasur vetëm një konflikt në fillim me disa klientë të panjohur.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›