E Hënë, 2 Nëntor 2026

Ibraj me krerët e rrugores e FNSH-ve për aksidentet

05/06/2005  TIRANË- Vetëm dy ditë pas shkarkimit të shefit të sigurisë publike dhe rendit, Artan Didi, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Bajram Ibraj, thërret në takim shefat e Shërbimit të Policisë Rrugore, të Policisë së Rendit dhe të FNSH–ve të dymbëdhjetë qarqeve. Zëdhënësja e Policisë së Shtetit, Edlira Teferiçi, tha se vërejtjet në drejtim të masave parandaluese për numrin e aksidenteve si dhe zbatimi me rreptësi i Kodit Rrugor, ishin pikat në të cilat u përqëndrua takimi. Në vijim të punës së shërbimeve të Policisë Rrugore, Drejtori i Përgjithshëm është shprehur se, "shërbimet e Policisë Rrugore duhet t’u paraprijnë këtyre dukurive, jo vetëm me prezencën në rrugë, por dhe duke ndëshkuar të gjithë kundravajtësit që nuk respektojnë me rigorozitet legjislacionin rrugor dhe veçanërisht rregullat e parashikuara në Kapitullin e pestë të Kodit Rrugor mbi Normat e Sjelljes”. Duke e vlerësuar Policinë e Rendit si forcën më aktive të Policisë së Shtetit, për sigurimin e rendit publik dhe si një agjensi të fuqishme të dhënash e informacionesh nga më të ndryshmet, Ibraj kërkoi impenjimin e kësaj strukture, si për zbulimin e autorëve të veprave penale, ashtu dhe për mbajtjen nën kontroll të aktivitetit kriminal të personave të evidentuar me tendenca të tilla. "Nga informacionet për luftën kundër kriminalitetit, nuk duhet ta shikojë veten të përjashtuar asnjë punonjës i policisë së rendit dhe sigurisë publike”, është shprehur ai ndër të tjera. Në vijim të takimit, drejtori la disa detyrime për të ardhmen, veçanërisht për analizën nominale që duhet të bëjë çdo strukturë e policisë për çdo ngjarje aksidentale të ndodhur, analizë e cila duhet zbatuar në bazë të të gjitha akteve normative dhe urdhrave të shërbimit në fuqi. Gjithashtu nga këto struktura u kërkua impenjim akoma më i madh për përballimin me sukses të sezonit turistik veror, ardhjes së emigrantëve dhe pushuesve si dhe gjatë fushatës zgjedhore. Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit do të ushtrojë kontrolle të vazhdueshme në drejtim të cilësisë, kryerjes së shërbimit dhe korrektësisë e etikës në detyrë dhe do të tregohet mjaft e ashpër ndaj çdo punonjësi që nuk përmbush detyrën, sikurse e kërkon ligji.

M.Mullai

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›