Kurbin, tre në pranga me arsenal armësh
KURBIN – Tre persona u arrestuan nga policia e Kurbinit, pasi u kapën me armë. Informacionet e siguruara për konflikte në zona të ndryshme të rrethit kanë çuar policinë në parandalimin e ngjarjeve të rëndë. Në fshatin Gjormë u ndalua 59-vjeçari Osman Hasani, i cili sipas policisë kishte tentuar të qëllonte ndaj një fqinji, pas konflikteve të pronësisë me të. Pas prangosjes së Hasanit, policia ka ushtruar kontroll në banesën e tij për armë. Kontrollet zbuluan dy armë zjarri, pushkë model 56 si dhe dy krehra me fishekë. Po dje, policia e Kurbinit arrestoi shtetasin Mirash Gega, me origjinë nga Puka dhe banim aktualisht në Fushë-Mamurras. Burime zyrtare të policisë bënë të ditur se Gega u ndalua pas denoncimit të një fqinji se e kishte kërcënuar me jetë pas një grindjeje mes tyre. Në banesën e Mirash Gegës u gjetën dy automatikë dhe një numër i madh fishekësh. Personi i tretë i arrestuar është Tonin Lleshi, i cili u prangos bashkë me dy automatikë. Sipas policisë kishte informacion se Lleshi ishte duke zënë me një kushëririn e tij dhe menjëherë është vepruar duke parandaluar precipitimin e situatës mes tyre. Në të tri rastet, policia ka bllokuar armët, të cilat pritet t’i nënshtrohen ekspertizës, nëse janë shfrytëzuar në konflikte apo ngjarje të rënda të pazbardhura deri tani. Ndaj tre personave rëndojnë akuzat e armëmbajtjes pa leje dhe kanosje të të tjerëve. Materialet ndaj tyre i kanë kaluar Prokurorisë së Kurbinit për hetime të mëtejshme. r.n