Bogdani: “Gjykimi na penalizoi, meritonim barazimin”
Autori i Lajmit: Redaksia
Verona - Erjon Bogdani u bashkua me korin e zërave protestues ndaj gjyqtarëve të takimit të humbur me Interin, ku sipas drejtuesve të Kievos, arbitri nuk dha një penallti pas një faulli të qartë të mbrojtësit zikaltër, Kuarezma, që preku topin me dorë brenda zonës. Trajneri i Kievos, Di Karlo, u shpreh: “Luajtëm mirë gjatë gjithë takimit, por rëndon jo pak episodi i penalltisë, jo më shumë ai pjesës së parë, por ai në fund të pjesës së dytë, të gjithë e panë ndërhyrjen e Kuarezmës. E meritonim në fushë të paktën barazimin”. Në të njëjtën linjë ishte dhe sulmuesi shqiptar: “E panë të gjithë: Kievo u penalizua, dhe kjo të bën të ndihesh keq, pasi skuadra luftoi dhe ishte gjithmonë në garë. Vendosëm shpirtin në fushë dhe e meritonim sigurisht të merrnim diçka më shumë”.
Ky lajm është publikuar: 08/01/2010