Tadiç: “Kosova në BE, si pjesë e Serbisë”
Autori i Lajmit: Redaksia
Deçan - Presidenti i Serbisë dëshiron ta shohë Kosovën në Bashkimin Evropian, por si pjesë të Serbisë. Gjatë qëndrimit në Manastirin e Deçanit, presidenti serb bëri deklarata të dyfishta. Boris Tadiç, gjatë gjithë kohës përsëriti se kishte ardhur në paqe, por nuk munguan mesazhet politike. Presidenti serb ka përsëritur deklaratën e hyrjes së Kosovës në BE si pjesë e Serbisë. Se ku e klasifikonte këtë qëndrim ai mohoi që kjo të ishte një deklaratë politike. Tadiç u tha gazetarëve se të gjitha problemet që kanë pasur popujt e Ballkanit mes tyre, si serbët e shqiptarët, duhet ti mbeten së shkuarës. Sipas Tadiçit, tani është koha që të gjithë të bëhen pjesë e BE-së, sepse e ardhmja e qytetarëve të Ballkanit është atje. Për hyrjen në Kosovë, zotit Tadiç i ishte vënë si kusht pikërisht shmangia e deklaratave politike. Në ditën e parë të vizitës, Tadiç i shmangu referimet politike përpara medieve shqiptare, teksa ndryshoi tonet në mjedise ku kishte media serbe dhe ndërkombëtare. Nga ana tjetër, presidenti serb uroi Vitin e Ri në gjuhën shqipe në brendësi të Manastirit të Deçanit, ku në fakt nuk ishte lejuar asnjë media shqiptare. Kjo është vizita e tretë e presidentit serb në Kosovë, që prej shpalljes së pavarësisë. Vizita e tij, megjithëse e lejuar nga autoritetet e larta të vendit, u prit me protesta të disa qindra qytetarëve shqiptarë të Deçanit, të organizuar nga shoqatat e dala nga Lufta, që kërkuan largimin e tij nga vendi. "Është dashur të ndalohet nga institucionet tona, por kjo nuk ka ndodhë dhe i mbetet qytetarëve që ta shprehin pakënaqësinë e tyre dhe ne e shprehëm në mënyrën tonë", - tha Abdyl Mushkolaj nga shoqatat e dala nga lufta, ndërsa turma po brohoriste kundër vizitës së presidentit Tadiç. Qeveria e Kosovës deri tani nuk ka komentuar deklaratat e presidentit serb, për shkak të ndjeshmërisë së vet vizitës të tij. Por vendimi i autoriteteve të Kosovës për ti lejuar zotit Tadiç hyrjen në Kosovë, është kritikuar nga forcat politike opozitare që vlerësuan se presidenti serb do të vazhdojë që të keqpërdorë vizitën e tij për qëllime politike. Zëvendëspresidentja e Aleancës “Kosova e Re”, Mimoza Kusari-Lila, u kërkoi institucioneve të Kosovës që me rastin e festave edhe ato të vizitojnë shqiptarët në Luginën e Preshevës. "Inkurajojmë krerët qeveritarë dhe presidentin e Republikës së Kosovës që festat e radhës, tia kthejnë presidentit Tadiç në Luginën e Preshevës, duke i vizituar shqiptarët atje, qoftë për Bajram, Krishtlindje apo festën e Flamurit," - u shpreh ajo. Ardhjen e presidentit të Serbisë në Kosovë e kanë mirëpritur serbët e këtushëm, të cilët e kanë parë atë si përkujdesje të Beogradit për ta. Një përfaqësues politik i serbëve, Rangjell Nojkiç, i tha BBC-së se presidenti Boris Tadiç ka dhënë mesazhe shumë domethënëse. "Vizita e presidentit serb, Boris Tadiç në Manastirin e Deçanit është shumë e rëndësishme dhe ajo nuk është domethënëse vetëm për serbët, por për të gjithë qytetarët e Kosovës e Metohisë pasi presidenti Tadiç në mesazhin e tij të Krishtlindjeve Ortodokse ka përcjellë mesazhe paqeje për të gjithë popujt", - tha zoti Nojkiç. Sipas tij, mesazhet e presidentit Tadiç "flasin qartë se me një politikë korrekte dhe konstruktive që udhëheq ai, po provon të ulë tensionet dhe që problemet në këto hapësira ti zgjidhë në mënyrë paqësore.
Reagimi
“Tadiç nuk heq dorë nga qasja destruktive”
Presidenca e Kosovës konsideron se presidenti serb, Boris Tadiç, gjatë qëndrimit në Kosovë, ka treguar se nuk heq dorë nga qasja destruktive ndaj Kosovës. Kjo deklaratë u bë nga zëdhënësi i presidentit Xhavit Beqiri, i cili tha se Beogradi nuk heq dorë nga qasja e vjetër destruktive ndaj Kosovës. “Edhe në deklaratat e djeshme, presidenti Tadiç, sado që mundohej që këtë herë të ishte pak më i moderuar, nuk mundi të qëndronte pa theksuar se Kosova është pjesë e Serbisë, ndonëse edhe vetë e di se dje ai ka qenë në një shtet tjetër, ka qenë në Republikën e Kosovës, shtet sovran dhe i pavarur. Natyrisht që synimi i popullit dhe institucioneve të Kosovës është integrimi sa më i shpejtë në BE, në NATO dhe në institucionet e tjera ndërkombëtare, por gjithsesi jo bashkë me Serbinë, por ndaras, secili më vete”,- tha në deklaratën e Presidencës, Xhavit Beqiri.
Ky lajm është publikuar: 08/01/2010