Serie A Leonardo entuziast: “Ky Milan është në formë”
Autori i Lajmit: Redaksia
Milano - Trajneri i Milanit, Leonardo, i gëzohet në maksimum fitores së bukur 5-2 me Xhenovën, duke u shprehur se ekipi ishte në formë fantastike. “E nisëm mirë ndeshjen, duke sulmuar vazhdimisht. U gjendëm në disavantazh, pasi gabuam në penalltinë e parë. Në një situatë të tillë, është shumë e rëndësishme psikologjia e skuadrës dhe në këtë aspekt lojtarët ishin të jashtëzakonshëm”, - tha Leo pas ndeshjes. Duke i marrë me radhë futbollistët kuqezi, tekniku brazilian shtoi: “Bekam u përshtat mirë me skuadrën dhe do të na ndihmojë edhe në ndeshjet e tjera. Borrielo ishte fantastik, shënoi dy gola të bukur dhe për mendimin tim, ka shanse për tu grumbulluar me kombëtaren në Afrikë. Gatuzo u rikthye pas dëmtimit dhe luajti mirë, po ashtu edhe Ambrozini, ishte vendimtar. I vetmi dyshim për takimin me Juventusin mbetet Pato”. Priten me ankth rezultatet e analizave për sulmuesin brazilian, që ka një dëmtim në kofshën e djathtë. Vetë klubi kuqezi, me anë të një komunikimi zyrtar në faqen e internetit, ka shpjeguar situatën e dëmtimeve tri ditë para sfidës së madhe me Juventusin. “Pato ka një enjtje në kofshën e djathtë dhe gjendja e tij do të ndiqet në ditët në vazhdim”, - thuhet në deklaratën e klubit. Megjithatë, të sigurta janë mungesat e Sedorfit dhe Zambrotës. Për të dy është parashikuar një mungesë rreth dyjavore. Kështu, Leonardo me shumë mundësi do të hedhë në fushën e lojës të njëjtin formacion me të cilin fitoi të mërkurën në mbrëmje 5-2 me Xhenovën në “San Siro”.
Notat e larta
Milanistët janë shfaqur të denjë për kombëtaren në ndeshjen e fituar 5-2 ndaj Xhenoas, por trajneri italian është në dilemë për ekipin e botërorit. Kanë pasur një shi notash prej 7,5 dhe 8 në klasifikimet e të gjitha gazetave sportive italiane. Kanë kushte fizike optimale dhe rendiment të lartë prej muajsh. Masimo Ambrozini dhe Marko Borielo kanë udhëhequr Milanin në mënyrë spektakolare në shumë ndeshje dhe kombëtaren e kanë shumë në zemër. “Në dhjetë ndeshje kam shënuar një mesatare të kënaqshme prej shtatë golash. Këtë kam qenë në gjendje ta realizoj me ndihmën e bashkëlojtarëve të mi, të cilët kanë bërë të jem këtu ku jam. Si duket rezultatet po vijnë kundër ekipeve kualitative. Përveç takimit kundër Palermos, në disa nga ndeshjet e fundit kemi arritur rezultate të shkëlqyera në ligë. Do të takohemi me Juventusin të dielën, do të jetë një ndeshje e rëndësishme dhe do të japim më të mirën”, - u shpreh Borielo. Por kapiteni kuqezi frenon entuziazmin: "Sinjale për Lippin? Do të duheshin, por me sa duket, nuk kanë mbetur shumë. Duhet të pyesni atë”, - tha Ambrozini. Ngrirja mes tij dhe trajnerit ka nisur që në mandatin e parë të Lipit me kombëtaren italiane. Ai u thirr për dy ndeshje në 2006, me Norvegjinë dhe Modavinë, më pas: black out. Kapiteni i Milanit, Masimo Ambrozini, thotë se fitorja e së mërkurës mbrëma kundër Xhenoas, do ta kthejë Milanin në rrugë të drejtë për të vazhduar përpara. “Ishte e rëndësishme të fitonim (kundër Xhenoas), sepse skuadrat në ndeshjet e pasditës fituan (Interi dhe Juventusi)”. “Ka edhe shumë për të luajtur (deri në fund të Kampionatit) dhe ne duhet të vazhdojmë kështu”, - tha 32-vjeçari për TMË. Mesfushori italian ka folur edhe për rikthimin e Dejvid Bekamit te kuqezinjtë, duke e konsideruar atë si një kampion të madh që punon shumë.
“Debutuesi” Bekam
Dejvid Bekam beson se ai mund ta ndihmojë Milanin ta fitojë skudeton gjatë këtij sezoni. Të mërkurën Bekam u tregua i shkëlqyer në fitoren 5-2 të Milanit, fitore kjo që ka rritur shpresat e rosonerëve për të luftuar për skudeto. “Mendoj se pas pjesës së parë të sezonit gjendja për ne është e mirë, ne jemi në një pozitë të shkëlqyeshme dhe duhet të vazhdojmë të fitojmë, pasi Inter është një ekip i madh dhe është ekipi të cilin duhet ta arrijmë“, - tha Bekam.
Ky lajm është publikuar: 08/01/2010