E Shtunë, 31 Tetor 2026

Server: “Beogradi kontrollon ende veriun e Kosovës”

Autori i Lajmit: Redaksia
Pragë - Drejtori i Institutit Amerikan të Paqes dhe analisti i mirënjohur Daniel Server akuzon komunitetin ndërkombëtar për sjellje "shumë hipokrite dhe të pasinqertë" ndaj veriut të Kosovës, të cilën e kontrollon Beogradi, duke thënë se "nuk shihet kurrfarë vullneti politik" që kjo të kundërshtohet, gjë që është një "problem i madh". Duke folur për sfidat dhe perspektivat e Ballkanit, analisti i njohur i çështjeve të Ballkanit ka vlerësuar se gjërat në Kosovë kanë shkuar relativisht mirë, në kuptimin që nuk janë vërtetuar parashikimet më të këqija. “Por, veriun e Kosovës e kontrollon Beogradi dhe nuk hetohet vullnet politik i bashkësisë ndërkombëtare që ti kundërvihet një fenomeni të tillë, që e konsideroj si problem të madh”, - ka thënë ai. “Shumica e vendeve ballkanike, ose kanë statusin e kandidatit, dhe kjo është një arritje e jashtëzakonshme, ose janë afër për të siguruar këtë status. Sfidë mbetet Kosova dhe Bosnje-Hercegovina”. Analisti i njohur amerikan mendon se bashkësia ndërkombëtare në këtë aspekt po sillet me standarde të dyfishta dhe jo me sinqeritet. “As Uashingtoni dhe as Brukseli nuk duan të angazhohen dhe ti mundësojnë Prishtinës që të vërë kontroll mbi këto tri komuna në veri”, - tha ai. Pengesa e tyre, sipas Serverit, është se Kosova tashmë është shtet i pavarur dhe, nëse është e pakënaqur aktuale, mund të ulet dhe të bisedojë me Serbinë. “Nëse Kosova dhe Serbia, si dy shtete sovrane, dëshirojnë të bisedojnë për këtë çështje, këtë mund ta bëjnë. Shtetet sovrane mund të diskutojnë edhe për çështjen e territoreve nëse dëshirojnë”, - vlerëson ai. Server nuk mendon se kjo është një temë tabu. “Jo më, nuk është tabu, sepse në këto momente Kosova është shtet i pavarur dhe shtetet sovrane kanë të drejtë të bëjnë çfarë të duan. Por, është me rëndësi të kuptohet se pala kosovare në këto bisedime nuk do të thoshte: “Po, merreni Veriun”. Pala kosovare do të kërkonte si këmbim Preshevën, që pala serbe nuk do ta pranonte”, - vlerëson ai. “Çfarë dua të them - mbase mund të ndodhë që të ketë këmbim mendimesh në këtë plan, por nuk besoj se është e mundur çfarëdo marrëveshjeje”. Këto komente Server i bëri në intervistën dhënë për Radio Evropa e Lirë.
Ky lajm është publikuar: 08/01/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›