Bogdani: “Kievo do të shpëtojë”

- Casti i së vërtetës. Për të dhe për Kievon. Casti në të cilin nuk mund të gënjesh. Erjon Bogdani është gati të "fluturojë". Për t'u rikthyer Bogdani i vërtetë. Vendimtar. Golashënues. Erjoni ringrihet nga stoli. Nëse Delneri e thërret, ai do të përgjigjet. Në fushë. Sic bëri kundër Livornos, gol dhe fanella në ajër, përpara përqafimit me trajnerin. Një mesazh i qartë dhe i fortë, që nuk ka nevojë për përkthime. Kievo është edhe Bogdani. Një mesazh për Parmën: "Nuk do ta kesh aspak të lehtë".
* * *
Erjon, sa larg është mbijetesa?
"Mbijetesa?...Është brenda nesh. Duhet ta ndiejmë. Pasi tani ka ardhur koha të nxjerrim jashtë gjithcka kemi".
Numerikisht?
"Duhet të fitojmë të dielën, t'i lëmë mënjanë numrat. Nuk kanë shumë rëndësi. Faktet po, vetëm faktet. Tani jemi në fund. Dhe Kievo duhet të tregojë se e meriton Serinë A".
Ndaj Parmës do të jetë ndeshja e jetës?
"E jetës dhe e konfirmimeve. E krenarisë dhe e sakrificës. Shpresoj të them edhe unë timen. Fitorja është më shumë se një detyrim. Më pas na presin sfidat e tjera kundër Rexhinës, Askolit dhe Katanias".
Dhe në këto raste frika është më e madhe...
"Frika edhe mund të jetë më e madhe. Besoj se është njerëzore të kesh frikë. Por kjo nuk duhet të ndalojë që kur të zbresim në fushë të japim gjithcka".
Ju si ndiheni?
"Mund të jap ende shumë. E kam ëndërruar një fund sezoni me gol dhe mbijetesë. Kam ëndërruar një fund sezoni të vuajtur, por të lumtur për Kievon dhe për mua".
Brenda dhe jashtë. Titullar dhe më pas në stol. Është e vështirë të gjendet një ekuilibër për ju?
"Mund të jetë e vështirë, por është pjesë e lojës. Dhe në këto momente nuk më pëlqen të flas për veten. Nuk jam lojtar që krijoj polemika dhe i mësuar të shoh vetëm interesin tim personal. Këtu është fjala për të mirën e Kievos, skuadrës, klubit, tifozëve. Unë jam vetëm njëri prej të shumtëve. Që dëshiron të dalë mbi ujë dhe të lërë shenjën".
Lufta për mbijetesë përfshin ende shumë skuadra.
"Shumë, të paktën tetë skuadra. Dhe ata që ndihen të sigurtë rrezikojnë ta pësojnë me të vërtetë keq".
Pse?
"Sepse ne duhet të ndjekim, dhe e dimë që duhet të vrapojmë akoma shumë. Por ata që janë përpara nuk mund t'i marrin gjërat me lehtësi. Sapo gabon je i humbur. Dhe që nga Livorno e poshtë, të gjitha skuadrat rrezikojnë".
Receta juaj?
"Të thyejmë Parmën për të dalë nga zona e kuqe. Të thyejmë Parmën për të ndaluar një konkurente të drejtpërdrejtë të largohet dhe për t'u rikthyer të marrim frymë me të dy mushkëritë".
Por Parma po ecën mirë. Për më tepër, nga skuadrat e fundit të tabelës, duket se është ajo më në formë...
"Parma po ecën shumë mirë? Por cfarë duhet të bëjmë ne? Të buzëqeshim dhe t'i lejojmë të fitojnë? Jo, për ne është një ndeshje e rëndësisë së vecantë. E mbani mend ndeshjen e fundit të fazës së parë kundër Katanias? Kievo fitoi me zemër, nuk pati kurrë frikë, u përball me kundërshtarin me krenari".
Pra një shembull për t'u përsëritur?
"Sigurisht, edhe pse këtë vit nisja ishte në dizavantazh. Na duheshin shumë pikë për t'u rikthyer në garë për mbijetesën. Dhe kur ishte koha për të treguar vlerat tona, përshpejtuam dhe Kievo u rikthye. Tani na duhet edhe pak më shumë energji. Është momenti të përshpejtojmë sërish. Na duhet sprinti...".
Sa sprint?
"Aq sa për të fituar edhe 8 pikë. Me 40 Kievo do të shpëtojë me siguri".
Pra?
"Pra të fitojmë ndaj Parmës dhe Askolit në shtëpi dhe më pas të kërkojmë të marrim pikë në Rexhio dhe në Katania. Kjo është rruga e vetme".
Receta?
"E thashë, të japim gjithcka, të mendojmë vetëm për Kievon. Receta është një dhe vetëm një: të luajmë me shpirt".
(Marrë nga "L'Arena")
Gazeta Sporti