E Diel, 1 Nëntor 2026

Durrës, studentët ankesa për oraret

 

Oraret e mësimeve, që detyrojnë studentët të presin disa orë me radhë deri në leksionin e ardhshëm, janë bërë shqetësim i vazhdueshëm në universitetin e Durrësit. Studentët, të cilët po e vuajnë më shumë këtë çrregullim janë ata të vitit të parë. Shumë prej tyre shfaqin hapur ankesat. Për të pritur deri në leksionin më të afërt, shumë prej tyre detyrohen të qëndrojnë për dy-tre orë në kafene, duke shpenzuar energji, kohë dhe para. Studentët kërkojnë ngjeshjen e orareve në leksione, në mënyrë që koha e pritjes të jetë sa më e shkurtër. Ndërkohë burimet nga Rektorati shprehen se: “Shqetësimet e studentëve janë të drejta dhe po punohet për rishikimin e orareve”. Këtë vit në auditorët e universitetit “Aleksandër Moisiu”, janë ulur mbi 3600 studentë. Universiteti i Durrësit ka nisur këtë vit akademik, duke ofruar një shumëllojshmëri programesh studimore. Në të mund të jepen 21 lloj diplomash.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›