Itali, protesta kundër reformës në arsim, ministrja refuzon dialogun
Në Itali vazhdojnë protestat masive kundër reformave në sistemin arsimor të propozuara nga ministrja Gelmini, dhe dje kanë arritur edhe në përplasje mes studentëve dhe policisë, duke shkëmbyer edhe të pështyra. Trafiku në Romë është bllokuar, pasi mijëra studentë kanë marshuar deri në kordonin e policisë para Pallatit Madama, ku u mbajt manifestimi. Një student gjatë marshimit i ka pështyrë një polici. Ai është ndaluar për t’u verifikuar dhe më pas është lënë i lirë. Nga elita politike kanë nisur apelet për të vendosur paqe mes dy palëve. Protesta të tjera ka pasur edhe në qytetet veriore si Torino dhe Pavia, madje edhe në universitetin e Sienës, ku të rinjtë kërkojnë të mbrojnë të drejtën e studimit. Përfaqësues të Senatit kanë organizuar një takim me një grup studentor për të dëgjuar ankesat dhe kërkesat e tyre dhe për të gjetur një gjuhë të përbashkët me ta. Takimi mes përfaqësuesve të studentëve dhe senatit ka zgjatur pak më shumë se një orë. Ishin pesë të rinj në brendësi të organizmit të protestave që takuan parlamentarët. Por takimi as nuk i frenoi dhe as nuk i zbehu protestat. Sipas studentëve, vetë ministrja që është përgjegjëse për këto reforma dekonstruktive nuk ka pranuar të dialogojë me ta. “Ministrja Gelmini refuzon dialogun edhe me prindërit, të mbledhur në protestë për të hapur një dialog me qeverinë”, komenton rrjeti i studentëve. Për shkak të protestuesve që nuk po gjejnë ende zgjidhje, në Romë ka devijuar edhe trafiku i autobusëve dhe makinave.