E Diel, 1 Nëntor 2026

Debati në LDK: Sejdiu të japë dorëheqjen si president

 

Pas debateve në LDK mbi reformat brenda partisë, dikur më të madhe në pozitë, në Kosovë dhe pas akuzave, se presidenti Sejdiu ka shkelur kushtetutën, anëtarë të Kryesisë kanë kërkuar dje dorëheqjen e presidentit Sejdiu nga posti si kreu i shtetit. Astrit Haraçia, anëtar i kryesisë së LDK-së, ftoi dje presidentin e Kosovës, Fatmir Sejdiu, që të marrë në shqyrtim opsionin e dorëheqjes. “Nëse presidenti Sejdiu e do aq shumë LDK-në, mund të japë dorëheqje nga posti i presidentit dhe t’i udhëheqë reformat e partisë”, tha ai, raporton REL. Por Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) e cila ka muaj të tërë, që ka pësuar krisje të fuqishme në marrëdhëniet brenda partiake, që pas humbjes në zgjedhjet e fundit parlamentare dhe divergjencave të krijuara që nga largimi i zotit Nexhat Daci, zotohet se do t’i vazhdojë reformat, pavarësisht vështirësive të paraqitura pas dorëheqjes së parevokueshme të shefit ekzekutiv të partisë, Blerim Kuçi, i ngarkuar pikërisht për zhvillimin e reformave. Zyrtarët e kësaj partie po përpiqen të rimëkëmbin partinë pas rezultatit jo të mirë të treguar në zgjedhjet e fundit në Kosovë. Sekretari i përgjithshëm i LDK-së, Ramë Manaj, thotë se pret që reformat të vazhdojnë edhe pas dorëheqjes së Kuçit, duke i mbështetur reformat në këtë parti, sipas dy dokumenteve të miratuara nga Kryesia e LDK-së. Ndërkohë Haraçia, tha se partia duhet ta shqyrtojë edhe dorëheqjen e Blerim Kuçit, pavarësisht se ajo është e parevokueshme. “Duhet të sqarohen arsyet e dorëheqjes së Kuçit, nëse ai e ka dhënë me vullnetin e tij apo ishte i detyruar nga jashtë”, tha ai duke iu referuar deklaratave të Kuçit, i cili tha se dorëheqja atij i është kërkuar nga kryetari me postin e ngrirë të LDK-së dhe presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu. Haraçia tha, se Sejdiu nuk ka kompetenca kushtetuese që nga posti i presidentit të Kosovës, të interferojë në çështjet partiake. Ai i bëri thirrje presidentit Sejdiu, i cili e mban të ngrirë postin e kryetarit të LDK-së, që në harmoni me Kushtetutën, të vendosë dhe nëse dëshiron të udhëheqë partinë, të japë dorëheqje nga posti i presidentit të Kosovës. “Nëse kryetari Sejdiu e do LDK-në, për hir të Kushtetutës, e cila nuk ia lejon edhe kryesinë e LDK-së, edhe të shtetit, mund të japë dorëheqje nga presidenti i Kosovës dhe të vijë e të udhëheqë reformat e partisë”, theksoi Haraçia.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›