E Diel, 1 Nëntor 2026

Godo: Për stoqet e ilaçeve përgjegjëse ministria

 

ZIRINA LLAMBRO

Ministria e Shëndetësisë është përgjegjëse për stoqet e ilaçeve në spitale. Këtë fakt e ka pranuar kreu i këtij dikasteri Anila Godo. Për të zgjidhur këtë problem, dje në mbledhjen e këshillit administrativ të ISKSH-së është diskutuar nisma më e re ligjore, që do të sjellë autonominë e spitaleve. “Kam konstatuar gjatë muajve të parë të detyrës time 4-5 spitale në rrethe, që kishin stoqe medikamentesh të caktuara dhe mungesa themelore në medikamente të tjera. Kjo ka ardhur si pasojë e planifikimeve të bëra në Ministri, që ishin të ndryshme nga kërkesat e bëra nga disa spitale. Këto fenomene duhet të eliminohen dhe mund të eliminohen”, tha Godo. Ajo shtoi, se nuk ndryshon çdo gjë me çelës më 1 janar 2009. “Gjithçka do të shihet hap pas hapi, por e rëndësishme është ta ndërmarrim këtë nismë”, tha ministrja. Ndërkaq, drejtoresha ISKSH-së Elvana Hana, e vuri theksin në qëllimet e ndryshimeve të reja ligjore. “Synimi primar është blerja e medikamenteve në kohë dhe mbi të gjitha, sipas nevojave të spitaleve. Kjo do të jetë e mundur falë decentralizmit të vendimmarrjes, por e bashkëshoqëruar me fonde”, tha Hana duke nënvizuar, se kjo është një nga pikat kryesore me të cilën ISKSH do të merret fillimisht. “Një pikë tjetër e rëndësishme për mirëfunksionimin e skemës është përdorimi i të ardhurave të tjera nga vetë spitalet dhe ne do të ngulmojmë fort në këtë pikë”, u shpreh drejtoresha e ISKSH-së. Sipas saj, projektligji i  iniciuar nga institucioni, që ajo drejton do t’i hapë rrugë reformës për përfshirjen e spitaleve në skemën e sigurimeve shëndetësore, në mënyrë që të krijohet e drejta ligjore për  ndërhyrje në financimin e sistemit spitalor. “Paralelisht jemi duke punuar edhe për përgatitjen e bazës së plotë ligjore, por fillimisht duhet ky ndryshim i parë i rëndësishëm për t’i hapur rrugë reformës në shërbimin spitalor”, sqaroi Hana. Aktualisht, grupe pune nga ISKSH janë shpërndarë në rrethe për të parë konkretisht gjendjen e spitaleve dhe nevojave që ato kanë. Anëtari i Këshillit Drejtues të ISKSH, Arjan Jaupllari, kryetar i Urdhrit të Farmacistëve, duke mbështetur këtë iniciativë, e cilësoi si një hap mjaft të guximshëm. “Por e rëndësishme është të niset si reformë dhe tani duhet menduar për mënyrën e funksionimit. Një gjë themelore është ndarja e qartë e kompetencave që do të thotë dhe ndarje e qartë e përgjegjësive”, tha Jaupllari. Ndërsa kryetari i Urdhrit të Mjekut Dine Abazaj, e quajti ndërmarrjen e këtij procesi domosdoshmëri. “Lidhur me autonominë e spitaleve, decentralizimi është pozitiv, por duhet të ketë struktura të forta kontrolli”, tha Abazaj.

Onkologjiku, pacientët para borxh për ilaçet
Farmacia e spitalit onkologjik është thuajse bosh. Të sëmurët me kancer duhet të blejnë tashmë edhe ilaçet më të thjeshta për trajtimin e tyre. Veç luftës me vdekjen, ata duhet të shpenzojnë shifra të papërballueshme parash. Një pjesë e pacientëve nga rrethet pohojnë se kanë marrë para borxh për të përballuar ciklet e kemioterapisë. “Kam 3 muaj që vazhdoj kemioterapinë dhe deri tani kam harxhuar më shumë se 1 milion lekë. Borxh i kemi marrë. Spitali nuk na siguron asnjë ilaç”, thotë një paciente me tumor në gji. Krizën e tmerrshme që ka pllakosur spitalin e pranojnë edhe vetë bluzat e bardha. Sipas tyre, moskryerja e tenderit ka çuar në rëndimin e situatës gjithnjë e më shumë”. Kemi bërë disa kërkesa në drejtori por përgjigjja që na është dhënë është se nuk mund të bëhen blerjet e citostatikëve, pa përfunduar tenderi”, pohojnë mjekët. Do të duhen edhe disa muaj që procedurat e prokurimit të përfundojnë për tenderin e ilaçeve të të sëmurëve me kancer. Ai është një nga 10 tenderët për të cilët qeveria ka shtyrë afatet e prokurimeve, pasi nga drejtoria e QSU nuk arritën të mbyllen brenda këtij muaji.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›