Ruli, Gjirokastër: PD do të vazhdojë mbështetjen e integrimit të gruas
Në vijim të turit të takimeve paraelektorale në Qarkun e Gjirokastrës, ministri i Ekonomisë dhe njëkohësisht deputeti i zonës, Grenc Ruli ka zhvilluar një takim me drejtues dhe anëtare të Forumit të Grave të PD-së, në rrethin e Gjirokastrës. Ministri Ruli ka shprehur mbështetjen që kjo organizatë ka dhënë në zgjedhjet e 2005-ës duke shprehur besimin se edhe në 28 qershorin e këtij viti, kjo mbështetje nuk do të mungojë.
Vazhdimisht Partia Demokratike dhe qeveria shqiptare kanë mbështetur integrimin e gruas në zhvillimet moderne të shoqërisë shqiptare aq më tepër në jetën politike, ka pohuar Ruli në takimin me gratë demokrate të Gjirokastrës. Sipas tij, ky integrim do të arrinte nivelin e duhur në qoftë se përfshirja e gruas në jetën politike, nuk do të bëhet thjesht në mënyrë mekanike me numra dhe përqindje, por duke realizuar një proces real në lidhje me rritjen e pranisë së gruas në jetën politike. Mes të tjerash, ministri Ruli ka përmendur edhe disa prej arritjeve kryesore, që qeveria aktuale ka realizuar gjatë këtij mandati katër vjeçar. Një vend të veçantë në këtë drejtim, që lidhet edhe me pozicionin social të femrës, zënë edhe realizimet e kësaj qeverie në arsim dhe shëndetësi, nënvizoi Ruli. Sipas tij, megjithëse Shqipëria tashmë është një vend të cilit i duhet të përballojë koston financiare të mbrojtjes pas anëtarësimit në NATO, sërish nuk do të preket buxheti aktual për arsimin dhe shëndetësinë, madje ai do të pësojë rritje në të ardhmen. Turi i takimeve të ministrit të Ekonomisë dhe njëkohësisht deputetit të Gjirokastrës, Genc Ruli me banorë të Qarkut të Gjirokastrës, do të vazhdojë edhe ditët e ardhshme.