E Diel, 1 Nëntor 2026

Bogdani: PS-ja dështoi me analizën tragjikomike Shqipëri-Jugosllavi

Zëdhënësi i PD-së, Gerti Bogdani, komentoi debatin e dy ditëve më parë në Kuvend ku opozita kërkoi mocion për debat me Kryeministrin Sali Berisha. “Z. Rama nxori sot nënkryetarin e Partisë Socialiste, Erion Veliaj, për të zhurmuar disfatën e thellë dhe totale në të cilën ai vetë, me imagjinatën e tij të sëmurë, e zhyti grupin parlamentar të Partisë Socialiste me mocionin e mbrëmshëm. Pasi deputetët e tij mbrëmë dështuan me analizën e tyre tragjikomike të marrëdhënieve Shqipëri – Jugosllavi të viteve ‘50, z. Rama nxori sot debatikasin e tij për të bërë tualetin e disfatës së thellë që ata pësuan mbrëmë”, - u shpreh Bogdani. Ai shtoi se “të përpiqesh të zhurmosh nënshkrimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit, ftesën e Shqipërisë në NATO, votën e Senatit të Shteteve të Bashkuara, firmën e Presidentit Xhorxh Bush, rritjen e rrogave dhe pensioneve, apo ndërtimin e mijëra km rrugë, është betejë e humbur që në start dhe tregon që je vite dritë larg reales”. Duke komentuar lidhjet me drejtuesin e G99-ës zëdhënësi i PD-së mendon se “të përpiqesh t’i maskosh me zhurmën e Erionit, është thjeshte naivitet, pasi z. Veliaj e ka shprehur publikisht antishqiptarizmin e tij kur shkruante vetëm një javë pas vizitës së Presidentit Bush në Shqipëri, artikullin me titull “Uashingtoni nuk duhet të gënjehet nga pritja shqiptare e Bushit”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›