Sejdiu bëhet “Qytetar nderi” në Shkodër
Këshilli Bashkiak i qytetit të Shkodrës nderoi dje me titullin “Qytetar nderi”, Presidentin e Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu. Ky titull iu akordua Presidentit të Kosovës me një ceremoni festive në mjediset e Bashkisë së Shkodrës. Kryetari i Këshillit Bashkiak, Bardhyl Lohja, theksoi se Presidentit të Kosovës i jepet titulli i lartë “Qytetar nderi i Shkodrës” me motivacionin “Për vlerat e spikatura intelektuale e patriotike, për rolin dhe kontributin historik në shpalljen e pavarësisë së Republikës së Kosovës, për ngritjen dhe konsolidimin e institucioneve, për merita të veçanta në vendosjen dhe ruajtjen e paqes në rajon”. Presidenti Sejdiu falënderoi për nderimin që iu bë nga qyteti i Shkodrës dhe përmendi vlerat kulturore dhe arsimore të krijuara në këtë qytet, historinë dhe legjendat e saj. "Kam pasur rastin të jem i pranishëm në Shkodër, duke njohur nga afër Kalanë e Rozafës dhe legjendat e saj, Bunën, rrugët, shkollat, kishat, xhamitë, këngët dhe dyqanet e shumta. Shkodra ishte prore shtëpi e lirisë, ishte shtëpi e Komitetit të Mbrojtjes së Kosovës që i dha frymë aspiratës së saj për t’u shkëputur nga robëria dhe vuajta”, - nënvizoi Presidenti Sejdiu. Pasi foli për ndryshimet që kishte vërejtur gjatë vizitës në Shqipëri, ai vërejti se “edhe Shkodra është një pamje e këtij transformimi" dhe se tani asaj "po i rikthehet shkëlqimi i dikurshëm, si një qendër e madhe arsimi, kulture, ekonomie dhe turizmi”. “Shkodra dhe qytetet e Kosovës duhet të rrisin shpejt bashkëpunimin në të gjitha fushat, mbasi zhvillimi modern nuk mund të bëhet pa hyrë në një proces të madh bashkëpunimi e integrimesh rajonale dhe më gjerë. Besoj se bashkëpunimi edhe me Ulqinin dhe qytetet e tjera të Malit të Zi do të jenë një nxitje për zhvillimin e të dy qyteteve dhe vendeve që kanë synim të përbashkët, ashtu si dhe Kosova, integrimet euroatlantike dhe BE-në”, - theksoi Presidenti i Kosovës. Pas ceremonisë, i shoqëruar nga autoritetet vendore dhe stafi i tij, Presidenti i Kosovës bëri një xhiro në pjacën e Shkodrës, ku u përshëndet me qytetarët shkodranë.