E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mediu: Bumçi-Alibeaj, korrespodencë e ligjshme

Ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu deklaron se ka pasur korrespondencë zyrtare dhe konform ligjit me z. Aldo Bumçi, në kohën kur ai kryente detyrën e ministrit të Drejtësisë dhe z. Enkelejd Alibeaj, ish-drejtor i departamentit të Antikorrupsionit të Këshillin e Ministrave. Ish-ministri përfshihet në debatin e fundit për çështjen e korrespodencës mbi ligjin e demontimit të armëve, që është bërë objekt i hetimit të prokurorisë. Ky është sqarimi i bërë dje nga zyra e shtypit të kryetarit të PR-s, Fatmir Mediu, në reagim të disa shkrimeve të publikuara së fundi në media për një shkresë të z. Bumçi, kur ka qenë ministër i Drejtësisë dhe z. Alibeaj si ish-drejtor pranë Këshillit të Ministrave. "Në cilësinë e ministrit të Mbrojtjes, z.Mediu ka pasur korrespondencë zyrtare me z. Bumçi si ministër Drejtësie, në përmbushje të detyrave të tyre funksionale. Z. Bumçi ka dhënë vlerësimin zyrtar për Vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 138, paraqitur nga Ministria e Mbrojtjes, bazuar në ligjin për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave, material i cili i është bashkëlidhur dosjes dërguar në Kryeministri", - nënvizohet në këtë deklaratë. Po sipas zyrës së shtypit të kryetarit republikan, vlerësohet se ''shkëmbimi i opinioneve të z. Alibeaj me këshilltarin juridik të ministrit të Mbrojtjes është zhvilluar si një akt normal konsulence juridike për të realizuar një proces të plotë ligjor, transparent për një vendim të Këshillit të Ministrave për trajtimin e të gjithë tematikës së municionit dhe mjeteve të tepërta në Forcat e Armatosura". Ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, është nën hetim nga Prokuroria e Përgjithshme për përgjegjësinë e tij në ngjarjen e Gërdecit, në Bashkinë e Vorës, ku më 15 mars të këtij viti ndodhi një shpërthim i fuqishëm në një fabrikë demontimi të municioneve, si pasojë e të cilit humbën jetën 26 persona dhe u plagosën dhjetëra të tjerë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›