E Diel, 1 Nëntor 2026

Ish-të përndjekurit, letër Topit, Topallit e Berishës



Ish-të përndjekurit politikë denoncojnë përmes një letre drejtuar krerëve të shtetit, Topi, Topalli dhe Berisha, heshtjen e politikës ndaj krimeve të komunizmit që sipas tyre, rrezikon demokracinë dhe paqen në Shqipëri. Shoqata Mbarëkombëtare e Integrimit të Burgosurve dhe të Përndjekurve Politikë të Shqipërisë shpreh shqetësimin për indiferencën e shtetit, teksa në letër parashtrohen 10 kërkesa që presin zgjidhjen e tyre. Ish-të përndjekurit kërkojnë një fond nga qeveria për gjetjen e trupave të 4500 të pushkatuarve nga diktatori pa gjyqe, po ashtu dhe shpalljen Dëshmorë të Kombit të të gjithë të pushkatuarve nga regjimi komunist dhe trupat të varrosen tek Varrezat e Dëshmorëve. Lista e kërkesave të ish-të përndjekurve nis me dënimin, heqjen e titujve diktatorit më kriminal në të gjithë Evropën, Enver Hoxhës, për gjenocidin e ushtruar ndaj popullit shqiptare për 45 vjet. Pika e dytë: “Të hapen arkivat, e të publikohen dokumentet e krimive komuniste 45-vjeçare. I kujtojmë politikës aktuale se me një ligj që keni bërë për dëmshpërblimin tonë me pinjollët e atyre që keni futur në Parlament, duke deformuar votën tonë, bijtë e atyre që na kanë shkaktuar gjenocide ndaj nesh, ju i keni hapur dosjet tona. Prandaj, - shkruhet në letër, - ne kërkojmë urgjentisht të hapen të gjitha dosjet, ju sigurojmë se nuk ka asnjë konflikt social siç pretendohet nga politika, se ne që kishim të drejtë të hakmerreshima ndaj krimeve të djeshme nuk u hakmorëm, duke mos rënë në kënetën e krimit dhe të hakmarrjes, prandaj çdo pretendim i politikës është i pabazë, refleksion i tyre për të mos publikuar krimet komuniste”. Ish-të përndjekurit kërkojnë më tutje: “Të fillojë menjëherë dëmshpërblimi, bazuar në Kushtetutën e këtij vendi, dhe jo të kërkohen dokumente burokratike dhe në kundërshtim me statusin tonë kushtetues për të shtyrë afate”. Sipas tyre, këto janë detyrime të sistemit ku aderojmë me kombet e tjera demokratike, dhe jo se ne u masakruam që të dëmshpërblehemi. Së katërti, qeveria të aprovojë një fond të veçantë financiarë për të gjetur trupat e 4500 qytetarëve shqiptarë që janë pushkatuar pa gjyqe, që këta të kenë një varr ku familjet e tyre t’i përkujtojnë. Së pesti, thuhet në letër: “Ftojmë mediat të ndalojnë promovimin e nomenklaturës së diktaturës se kështu i shërbejnë pajtimit kombëtar, dhe jo ndarjes dhe urrejtjes, gjithashtu i ftojmë që të promovojnë e dokumentojnë krimet e komunizmit që shoqëria të mos njohë viktimizim, por vetëm dashuri e vëllazërim”. Kërkesa e gjashtë: “Të implementohen dhe të zbatohen menjëherë rezoluta e AKE-së dhe Parlamentit shqiptar për dënimin ndërkombëtar të dënimit të krimeve të komunizmit”. Letra vijon me kërkesën tjetër: “Të gjithë të pushkatuarit të shpallen Dëshmorë të Atdheut se u vranë për demokracinë dhe të varrosen në Varrezat e Dëshmorëve të Kombit. Nuk mund të ketë ditë dëshmoresh për komunizëm dhe jo për demokracinë”. Ish-të përndjekurit insistojnë që të hiqen simbolet e komunizmit në vendet publike, kurse në kryeqytet kërkojnë të vendoset memoriali kushtuar mijëra shqiptarëve që u masakruan nga diktatura komuniste. Letra mbyllet me kërkesën e dhjetë: “Të fillojë menjëherë dhënia e pronës pronarit të ligjshëm dhe të ndalet politika e Katovicës si ndaj të përndjekurve politike dhe ndaj pronarëve të ligjshëm, dhe për votimet e vitit 2009 të bëhet referendum kombëtar për sistemin zgjedhor dhe mos të tjetërsohet vota e votuesit, siç ka ndodhur gjatë këtyre 18 viteve të pluralizmit”. Sipas dy nënshkruesve të letrës, Besim Ndregjoni dhe Adem Allçi, implementimi i rezolutës së AKE-së dhe dënimi i krimit të komunizmit do të na çojë drejt një pajtimi kombëtar të shoqërisë, e cila në këto momente është interesi më madhor i Shqipërisë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›