Progres-raporti për Shqipërinë dorëzohet sot, Oli Ren, konferencë për shtyp
Sot pritet që të publikohet progres-raporti i plotë prej 160 faqesh i Bashkimit Evropian për Shqipërinë që përfshin punën që është bërë gjatë këtij viti. Kreu i delegacionit të Komisionit Evropian në Tiranë, Helmut Lohan, pritet të takohet sot në orën 14 me Kryeministrin Sali Berisha ku do t’i dorëzojë progres-raportin për Shqipërinë. Lohan do të dorëzojë këtë raport dhe tek krerët e tjerë më të lartë të shtetit. Një kopje e progres-raportit do t’i dorëzohet Presidentit të Republikës, Bamir Topi, e kryeparlamentares Jozefina Topalli. Më pas gjatë orëve të pasdites, Lohan do të bëjë publik raportin për mediat gjatë një konference për shtyp, e cila pritet të mbahet pasdite rreth orës 17:00. Njëkohësish,t pritet që po sot, në orën 11:.30, komisioneri i Zgjerimit, Oli Ren, të japë një konferencë për shtyp për të gjithë median ndërkombëtare në lidhje me këtë progres-raport. Burime zyrtare pranë delegacionit të KE-së në Tiranë bëjnë të ditur se Shqipëria ka marrë notat më pozitive në këtë raport për sa u përket disa arritjeve. Shqipëria pritet të lavdërohet për punën e saj në rritjen ekonomike, luftën ndaj krimit të organizuar si dhe në rritjen e luftës ndaj korrupsionit. Kritikat e Shqipërisë pritet të jenë mosrealizimi i reformave, si ajo në drejtësi dhe ajo zgjedhore, për të cilat një pjesë e përgjegjësisë bie edhe mbi opozitën. Një kritikë për Shqipërinë do të jetë edhe lufta ndaj varfërisë.