E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bogdani: PS po sulmon investitorët

Partia Demokratike reagoi dje ndaj deklaratave dhe akuzave të nënkryetarit të grupit parlamentar socialist, Erion Braçe, të bëra paradite në seancën e Kuvendit. Zëdhënësi i selisë blu, Gerti Bogdani, tha se sulmet ndaj Damir Fazliç, një biznesmeni dhe qytetari të lirë, janë sulme kundër investimeve dhe investitorëve në Shqipëri. “Edi Rama me zëdhënësin e tij të parë, Erion Braçe, korrierin e Dondollakut, por edhe borxhliun e madh të Kadriovskit, pasi iu servir shqiptarëve viktimën e aksidentit si të vrarë, vazhdon sulme stihike kundër investimeve dhe investitorëve të huaj në Shqipëri”, - tha Bogdani.

Referuar deklaratës së Braçes, Bogdani vlerësoi se “korrieri i mafies, Erion Braçe, me porosi të z. Rama, etiketoi biznesmenin dhe qytetarin e lirë britanik, me origjinë boshnjake, Damir Fazliç, të paktën 30 herë si kriminel”. Zëdhënësi i selisë blu vërejti se kjo vetëm “Për fajin e vetëm të tij, se Fazliç ka kontribuar së bashku me BG&R në shembjen e sistemit socialist kleptokratik dhe pushtetit të Dondollakëve dhe Braçeve në Shqipëri”. Më tej, Bogdani vuri në dukje se në këtë betejë, z. Rama ka angazhuar pseudo-analistë, që nuk mund të presin më gjoba në këtë vend, ka angazhuar mediat e tij të akuzuara nga raportet ndërkombëtare si perandori droge në kohën e pushtetit socialist dhe ka ngritur një mal shpifjesh dhe trillimesh, të cilat do të përfundojnë si mitingu që organizoi për të shpallur të aksidentuarin si të vrarë. “Shqiptarët çdo ditë e më shumë po shohin fytyrën e vërtetë të politikës së re të Edi Ramës, e cila 2 muajt e fundit ka servirur si alternativë të vetme, mitingun për të shndërruar vdekjen si vrasje, intervista me simbolet e famëkeqit Enver Hoxha, dhe tani se fundmi luftën kundër investimeve dhe investitorëve të huaj në Shqipëri, që të mund të krijojë hapësirë për falangat e mafies, të cilat nuk kanë më hapësirë në këtë vend”, - përfundoi Bogdani.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›