Çështja Fazlliç, Nishani: Policia nuk u përfshi
Ministri i Brendshëm, Bujar Nishani, iu përgjigj dje akuzave të deputetëve të opozitës në lidhje me çështjen “Fazlliç”. Deputetët e opozitës, Balla dhe Braçe, akuzuan strukturat e policisë së aeroportit të Rinasit se morën në mbrojtje shtetasin Damir Fazlliç gjatë vizitës së tij në Tiranë. Sipas tyre, ai u shoqërua nga forcat e policisë në udhëtimin e tij prej disa orësh në kryeqytet. “Të gjitha institucionet e sigurisë dështuan dje. Me urdhër të Kryeministrit institucionet u vendosën në mbrojtje të Damir Fazlliçit. Një komisariat i tërë u vu në shërbim të kriminelit, ndërkohë nuk vuri një polic në mbrojtje të Trebickës”, - tha Braçe. Këtyre akuzave iu përgjigj direkt ministri i Brendshëm, Bujar Nishani, i cili u shpreh se policia nuk ka ndërhyrë. “Së pari, nuk ka pasur asnjë kërkesë, nuk ka pasur asnjë informacion apo indicie që jeta e Damir Fazlliçit të rrezikohej. Spekulimet që bëhen, janë për shkak të punës rutinë të punonjësve të terminalit të Rinasit të cilët janë të detyruar të zbatojnë për shkak të ligjit, kontrollin dhe ndihmën e kërkuar nga të gjithë shtetasit për kalimin e pikës kufitare qoftë në hyrje dhe në dalje”, - tha Nishani. Nishani tha më tej se forcat e policisë në aeroportin e Rinasit kanë për detyrë të ruajnë çdo shtetas. Ai përgënjeshtroi akuzat sipas të cilave, forcat e policisë shoqëruan Damir Fazlliçin nëpër Tiranë.