E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kodheli: Fazlliçi në Tiranë, policia kundër shtetit

Partia Socialiste kërkoi dje lirimin nga detyra të çdo autoriteti policor që lejoi lëvizjen e lirë të Damir Fazlliçit dy ditë më parë në Tiranë. Zëdhënësja e kryesisë së PS-së, Mimi Kodheli, tha se prokuroria duhet të reagojë ndaj shkeljes së ligjit. “Ne kërkojmë lirimin e menjëhershëm nga detyra të kujtdo autoriteti policor, që mundësoi trajtimin special jashtë ligjit të këtij miku të dyshimtë të Kryeministrit të vendit dhe pengoi prokurorinë të bënte detyrën e saj ligjore. Prokuroria duhet të reagojë në bazë të ligjit, ndaj kësaj shfaqjeje të patolerueshme të shkeljes së ligjit”, - deklaroi Kodheli. PS-ja vlerëson se “Policia e Shtetit punoi kundër shtetit, duke i hapur rrugën deri tek avioni një personi që minimalisht nuk ka asnjë lloj statusi të veçantë dhe maksimalisht duhet të përgjigjet jo në një shou televiziv, por në prokurori, për faktet e bëra publike nga shtypi, lidhur me pastrim parash”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›