Gati projektet për qendrën historike
"Realizoni sa më shumë projekte për mbrojtjen dhe zhvillimin e vlerave të trashëgimisë kulturore, për t‘i paraqitur ato sa më denjësisht në kongresin e UNESCO-s, në tetor të këtij viti!", u shpreh Koichiro Matsuura, drejtori i përgjithshëm i UNESCO-s, i cili u shpall dje "Qytetar Nderi" për qytetin e Beratit. Në ceremoninë e organizuar me këtë rast, nga bashkia e qytetit merrnin pjesë zëvendëskryeministri Genc Pollo, prefekti Thoma Rumniçi, e kryetari i Bashkisë së Beratit, Fadil Nasufi. Pjesëmarrësit vlerësuan kontributin e dhënë në njohjen, promovimin dhe përgatitjen e dosjes së Beratit, si dhe pranimin e qytetit të "një mbi një dritareve" në UNESCO. Ky titull nderi iu dorëzua drejtorit të përgjithshëm të UNESCO-s me motivacionin "Për kontributin e dhënë në njohjen, promovimin dhe mbrojtjen e vlerave të trashëgimisë kulturore e historike të qytetit të Beratit dhe për kujdesin e tij të drejtpërdrejt për regjistrimin e Beratit, si pasuri botërore në mbrojtjen e UNESCO-s". "Beratasit janë krenarë dhe optimistë, që tani janë pjesë e kulturës mbarëbotërore. Pas hyrjes në UNESCO, kemi përpara përgjegjësinë dhe sfidën e mbrojtjes dhe inventarizimit të kësaj pasurie, e cila nuk është vetëm e Beratit, por i takon të gjithë njerëzimit", u shpreh kryetari Nasufi. Sipas tij, bashkia e qytetit është gati për të ndërmarrë projekte konkrete, për të marrë investime të drejtpërdrejta e prioritare për qendrën historike të Beratit dhe trashëgimisë kulturore. Ai bëri të ditur se është gati një projekt për rehabilitimin e zonës së kalasë, mbështetur nga programi i Komisionit Evropian në Shqipëri". Pas ceremonisë, të ftuarit vizituan zonat karakteristikë të qytetit të Beratit, qendrën historike, kalanë 2400-vjeçare, muzeun "Onufri", etj.