Nis Festivali Ndërkombëtar i Teatrit të Kukullave
Është çelur në qytetin e Pogradecit edicioni i tretë i Festivalit Ndërkombëtar të Teatrove të Kukullave. Trupa të shumta do të ngjiten në skenë për të prezantuar para fëmijëve shfaqjet e përzgjedhura për këtë edicion të Festivalit të Teatrove të Kukullave, që vjen si pjesë e traditës kulturore në Pogradec që në Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve. Në këtë festival do të marrin pjesë për një javë rresht 14 trupa nga vendi dhe nga shtete si Italia, Serbia, Bullgaria, Maqedonia, Kosova dhe Holanda, ndërkohë që të gjitha shfaqjet që do të jepen në skenën e teatrit do të jenë falas për fëmijët e këtij qyteti. Festivalin e kanë çelur të parët në një skenë para teatrit aktorët e ardhur nga Italia dhe ata të teatrit të Tiranës. Trupat e para që u ngjitën në skenën e improvizuar në natyrë janë mirëpritur nga fëmijët edhe pse shfaqjet e interpretuara nga të huajt vijnë në gjuhën e shteteve përkatëse. Krahas aktorëve të Barit të Italisë janë shfaqur para publikut të fëmijëve të moshave të ndryshme edhe teatrot e përzgjedhura nga aktorët nga Pogradeci, Elbasani dhe Kosova. Mes trupave vendase që interpretojnë janë edhe qytetet si Berati, Vlora, Fieri, Lushnja, Saranda dhe Korça, ndërkohë që shfaqjet që jepen çdo ditë janë alternuar mes një teatri në gjuhën shqipe dhe një teatri të huaj. Sipas të dhënave nga qendra kulturore, në këtë edicion marrin pjesë të paktën 100 aktorë dhe si çdo vit, në fund të festivalit ndërkombëtar do të ndahen edhe çmimet për fituesit nga trupat më të mira dhe shfaqjet më cilësore që janë prezantuar gjatë ditëve të këtij festivali. Një juri do të bëjë edhe vlerësimin e trupave që janë prezantuar në këtë edicion me shfaqjet e tyre. Ajo që ngjall interes për një festival të kësaj natyre është fakti se fëmijët njihen me personazhe të reja, të cilat nuk i gjejnë në shfaqjet shqiptare, me karaktere të ndryshme dhe me historitë që tregojnë kulturën e vendeve nga ku kanë ardhur edhe trupat e aktorëve. Juria e festivalit drejtohet nga shkrimtari dhe humoristi i njohur, Vangjel Kozma. Një vit më parë, trofeun e këtij festivali e mori trupa maqedonase. Sipas organizatorëve dhe Bashkisë së Pogradecit synohet që festivali të kthehet në traditë dhe organizohet çdo vit si një nga aktivitetet më të rëndësishme për fëmijë.