E Shtunë, 31 Tetor 2026

Petrit Ruka: Një rrëfim për të fshehtat e Viktor Gjikës

Deri në ditët e fundit jetoi me ëndrrën e kinemasë. Trupi i tij, i mbrujtur i gjithi me pasionin për të krijuar, nuk pranonte t‘i dorëzohej as sëmundjes e as vdekjes. Viktor Gjika kishte plane. Ndonëse filmat e tij ia kishin "gdhendur" suksesshëm emrin ndër themeluesit e kinematografisë shqiptare, ndjente se duhej ende të punonte. Një dokumentar për aktorin Sandër Prosi dhe një film artistik "jetonin" në mendjen e tij. Por i mbylli sytë më herët se ç‘pritej. Petrit Ruka e kujton mirë në ditët e fundit. Që në gjallje qe shtruar në biseda për të realizuar një dokumentar për të. "Viktor Gjika, poet i ekranit", një projekt i financuar nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë, është drejt përfundimit. Pritet që premiera të shfaqet pas dy muajsh. "Ky dokumentar synon të përshkojë gjithë jetën e tij në pikat më kulminante", shprehet Ruka, i cili ka shkruar skenarin dhe bën njëkohësisht regjinë. E konsideron një falënderim për gjithë punën dhe filmat që Gjika i la fondit të artë të kinematografisë shqiptare. Do të jetë një rrugëtim prej fëmijërisë e deri në ditët e fundit të regjisorit, një rrëfim në shirit për njeriun që jetën ia kushtoi kinemasë.

Prej disa kohësh ju keni nisur realizimin e një dokumentari kushtuar regjisorit Viktor Gjika. Si vjen në përfytyrimin tuaj kjo figurë dhe deri në ç‘fazë të punës jeni?

Kemi mbyllur pjesën më të madhe të xhirimeve. Kanë ngelur edhe pak episode për t‘u realizuar në Korçë, qytetin e tij të lindjes. Bëhet fjalë për një dokumentar që hedh dritë mbi jetën dhe veprën e Viktor Gjikës, pionierin dhe themeluesin e kinematografisë shqiptare. I titulluar "Viktor Gjika, poet i ekranit", ky dokumentar synon të përshkojë gjithë jetën e tij në pikat më kulminante. Nisim nga fëmijëria në qytetin e Korçës, nisja për studime në Moskë, kthimi, veprat e para dhe një pjesë të jetës së tij personale. Në jetën e Gjikës ka disa kulminacione. Ai është rritur në një familje të thjeshtë, me një nënë fetare që përqafonte sektin e ungjillorëve, një gjë e rrallë në Shqipëri. Ishin vetëm 5-6 familje të tilla në Korçë. Babai ishte murator. Një episod të veçantë do t‘i kushtojmë ëndrrës së madhe për kinemanë. Si shumë fëmijë, edhe ai që në vogëli ishte i marrosur pas kinemasë. Madje në fëmijëri shpiku një kuti të vogël ku projektonte filma. Gjika ishte një nxënës i shkëlqyer në gjimnazin e Korçës, që e mbaroi me medalje ari. I tillë ishte edhe gjatë studimeve në Moskë. Shumë kolegë të tij thonë se edhe nëse e çoje për mjekësi, fizikë a në çdo degë tjetër, Viktor Gjika do të shkëlqente, sepse ishte këmbëngulës. Në dokumentar do të jenë të përfshira edhe kujtime nga kjo periudhë e jetës së tij në Moskë, me çuditë e veta jo vetëm për një student që vjen nga një vend i vogël, por edhe nga provincat e Shqipërisë. Kthehet dhe fillon punën si kineast. Xhiron për herë të parë një dokumentar, "Takimi i Helsinkit", një kongres ndërkombëtar të të rinjve të gjithë botës. Pas tij vjen "Bistricë 63", një vepër e jashtëzakonshme e xhiruar në bardhezi me kamera në sup për hapjen e tunelit të Bistricës. Pas dy-tri dokumentarëve të parë, me të drejtë shtypi i kohës e quajti "Poeti i ekranit". Këtu e merr spunton edhe titulli që mban dokumentari për të. Gjatë një jete që i kushtoi kinematografisë, ka lënë gati gjysmat e filmave që bëjnë pjesë në fondin e artë të kinematografisë shqiptare si "I teti në bronz", "Nëntori i dytë", "Gjeneral Gramafoni", "Përballimi" etj. Ai mori përsipër të përballonte kthesat kyçe të historisë së Shqipërisë.

Gjika ishte ende në jetë kur ju nisët të punonit me këtë projekt. Si e priti idenë e një dokumentari kushtuar jetës së tij?

Është fakt i gëzueshëm që pati fatin ta merrte së gjalli këtë "Faleminderit" të madhe që i drejtohej atij. Kemi biseduar disa herë me të, por nuk e menduam që Viktor Gjika do të ikte kaq shpejt. Shpresonim se do të ishte më gjatë mes nesh, por sëmundja përparoi shumë shpejt. Viktori kishte marrë të gjitha kënaqësitë në këtë jetë, por gjithsesi e priti i lumtur këtë ide. Nuk bëri asnjë sugjerim apo të na jepte ndonjë "këshillë". Ishte në kufijtë fisnikë të një krijuesi, i cili e kupton se vepra e një tjetri i takon atij. Më vjen keq që ai nuk do të jetë në premierën e filmit, që pritet të shfaqet pas dy muajsh. Do kisha shumë dëshirë të ishte diku i ulur në sallë, sepse dokumentari është një falënderim i madh, që ia drejtoj në mënyrë personale, për dorën që më dha në rrugën e kinematografisë.

Pasqyra më e mirë e një regjisori janë punët e tij. Janë zgjedhur vetëm materialet arkivore për ta përshkruar këtë pjesë, apo është konceptuar ndryshe?

Filmi është konceptuar si rendje në sheshet e xhirimit, një homazh kushtuar punës së tij. Kemi shkuar në Vlorë, ku kemi xhiruar në ballkonin e shtëpisë së Pavarësisë, aty ku ai realizoi skenën e famshme të ngritjes së flamurit te "Nëntori i dytë". Në një farë mënyre, Viktor Gjika ishte ai që ka ndërtuar imazhin e Ismail Qemalit. Kemi shkuar edhe në mjaft vende të tjera ku ai ka punuar. Viktor Gjika ishte një artist i madh, por edhe një njeri me shumë paqe. Ka përgatitur me dhjetëra kineastë të rinj e i ka ndihmuar të futen në rrugën e artit. Në sheshin e xhirimit ai ishte një poet, organizator i shkëlqyer, një njeri që improvizonte, skrupuloz i jashtëzakonshëm, për t‘i çuar deri në fund qëllimet. Ai vinte nga bota e fotografisë dhe e njihte mirë mundësinë që të jep kamera. Kishte aftësi të komunikonte shumë mirë me të gjithë pjesëtarët e grupit, rrinte në ballë të punës, nuk ishte një regjisor aristokrat që kërkon prej të tjerëve. Këto ditë ne po presim që të dalë edhe libri i tij me kujtime, të cilin ia la porosi mikut të tij Teodor Laço t‘i jepte dorën e fundit. Presim me kuriozitet të lexojmë se si e ka përshkruar ai jetën e vet. Libri do të jetë ndihmë e madhe për të na sugjeruar të rixhirojmë ndonjë gjë të vogël, e cila mund të mos jetë e njohur për ne. Por kemi edhe materiale arkivore, të cilat ekspozohen për herë të parë.

Keni marrë ju një rrëfim të fundit të regjisorit gjatë takimeve për realizimin e dokumentarit?

Jo. Ne thjesht flisnim, por kam një emision të gjatë të Viktor Gjikës para një viti, ku ai rrëfen jetën e tij në një minutazh prej 1 ore e 20 minutash. Atëkohë ende nuk ishte aprovuar ky projekt, por ishte fat që i volëm gjithë jetën e tij. Kemi materiale me të vërtetë shumë të mira, kujtime nga fëmijëria e deri në kohët e fundit. Ndodhemi nën presionin se çfarë nuk duhet të përfshijmë në këtë realizim.

Si ishte Viktor Gjika në ditët e fundit?

Viktori ishte një burrë me kurajo të madhe. Rreth 10-15 ditë para se të shuhej, kishte vitalitet në sy dhe në fjalë. Ikja e tij erdhi e papritur, por ajo që u bëri përshtypje kolegëve ishte dinjiteti me të cilin përballoi vdekjen. Reagoi me një qetësi të habitshme, pa u ankuar, pa bezdisur askënd. Deri në ditën e fundit komunikonte dhe jepte kumtet e tij pozitive dhe vazhdonte të bënte plane.

Çfarë përfshinin planet e tij?

Kishte ëndërr që së paku të realizonte një dokumentar dhe një film artistik. Bëhet fjalë për një dokumentar mbi artistin e madh Sandër Prosi, me të cilin ka realizuar gati gjysmën e roleve në filmat e tij. Kishte shkruar edhe një skenar për të, por jeta u ndërpre dhe nuk arriti ta përmbushte këtë dëshirë.

Ju folët edhe për Viktor Gjikën si njeri. Zakonisht janë kujtimet e kolegëve dhe miqve ato që plotësojnë këtë kuadër. Të njëjtën skemë keni zgjedhur edhe ju?

Në mënyrën time të të realizuarit dokumentar jam kundër intervistave që hanë shumë kohë dhe të "rrezikojnë" emocionet. Japin informacion, por nuk sjellin ndonjë emocion të madh, përveç rasteve kur kanë detaje shumë të veçanta. Ato ulin ritmin e filmit. Por ana e tij njerëzore shpaloset në komunikimin që ai kishte me të tjerët në sheshin e xhirimit, por edhe më gjerë.

"Pas çdo burri të suksesshëm qëndron një grua e fortë". Sa vëmendje i keni kushtuar regjisorit bashkëshort?

Kemi përfshirë edhe momente të tilla; njohja me Florën, e cila më pas do të bëhej bashkëshortja e tij. Ishin një çift që plotësonin njëri-tjetrin. Ka qenë një dashuri që s‘i ka përjashtuar as sakrificat dhe gjithnjë e më shumë ai ishte i ndërgjegjshëm për këtë. Rreth 10 vjet jetë, bashkëshortja e tij e ka kaluar në sheshet e xhirimit në të gjitha viset e Shqipërisë. Ka qenë ajo që ka pasur një barrë të madhe për t‘i krijuar atij klimën e duhur.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›