E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përkujtohet skenografi Shaban Hysa

U organizua dje në sallën e vogël të Teatrit Kombëtar një takim përkujtimor në nderim të mjeshtrit të madh të skenës, skenografit e piktorit Shaban Hysa. Hysa ishte ndër skenografët e parë profesionistë që punuan në Teatrin Kombëtar. Ai ishte autor i mbi 300 projekteve skenografike për drama, komedi, balete, opera dhe spektakle koncertore si krijues i 6 mijë projekteve të kostumeve. Shaban Hysa lindi në Tiranë, më 30 shtator 1938. Studioi në degën e pikturës për katër vjet në Akademinë e Arteve të Bukura në Varshavë, Poloni dhe u specializua në degën Skenografi Teatri. Pasi mbaroi studimet më 1961-shin, punoi fillimisht si skenograf dhe arkitekt skene në Teatrin Kombëtar. Pas dy vjetësh u transferua në Teatrin e Operës dhe Baletit me detyrën e skenografit të parë. Shaban Hysa nisi të japë mësim në Akademinë e Arteve më 1968-n dhe formoi më pas atelienë e skenografisë, të cilën e drejtoi deri më 1979-n. Po në këtë vit ai u transferua në Lidhjen e Artistëve dhe Shkrimtarëve, duke mbuluar sektorin e artit figurativ. Nisi përsëri punë në Teatrin Kombëtar, ku vazhdoi deri në daljen e tij në pension. Deri në ditët e fundit të jetës ai vazhdonte të jepte mësim si pedagog i jashtëm. Skenografi dhe piktori Hysa u dekorua dy herë me urdhrin "Naim Frashëri" në vitet ‘68 dhe ‘78, si dhe mori titullin "Artist i Merituar" më 1988-n. Aktiviteti krijues i tij shtrihet në të gjitha gjinitë e skenografisë dhe të pikturës, si pjesëmarrës në aktivitete teatro, por edhe në ekspozita kombëtare, ku është nderuar me mjaft çmime. Punoi mbi 50 skenografi në Teatrin Popullor, ku veçohen pjesët: "Furrnalta", "Monserati", "Romeo e Zhulieta", "Prometeu", "Shkallët", "Valsi i Titanikut", "Vdekja e Dantonit", "Rikardi III", "Besa", "Oportunesku", "Tiranozauri", "Gjethja", "Streha e të harruarve", etj. Shaban Hysa ndërroi jetë në gusht të vitit 2005.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›