E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Takimet muzikore të dy botëve" në Gjirokastër

Edicioni i tretë i festivalit "Takimet muzikore të dy botëve" nis nesër në Gjirokastër, i organizuar nga shoqata kulturore "Argjiro". Festivali, i cili synon të sjellë një frymë të re bashkëpunimi mes artistëve të njohur shqiptarë dhe atyre botërorë, do të zhvillohet në qytetin e gurtë pikërisht për të promovuar trashëgiminë kulturore shqiptare. Edicioni i këtij viti do të mbahet në datat 5 dhe 6 në qytetin e Gjirokastrës dhe më tej në datën 7 qershor në Tiranë. "Festivali u nis si një dëshirë për të promovuar artin dhe si mjet në këtë rast shërben muzika, që lidh vendet", u shpreh organizatorja e festivalit Ilda Mara. Në këtë takim të tretë do të prezantohet para publikut kuarteti rus "Atrium", Koncerti i korit polifonik të konservatorit të Janinës, Koncerti i kuartetit të Evropës Juglindore Celissimo (Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Vojvodinë), grupi polifonik Ergjeria (Shqipëri), pianistët Julia Amada Kruger nga Amerika dhe Viktor Buni nga Rusia, si dhe këngëtarja Alma Bektashi, e cila do të këndojë muzikë xhaz si dhe disa këngë qytetare të së madhes Nexhmije Pagarusha. Ditën e dytë të festivalit, në bashkëpunim me organizatën ndërkombëtare "Helsinky Citizens Assembly", dhe "Courrier des Balkans" të Francës, do të zhvillohet tavolina e rrumbullakët "Dialogu i kulturave dhe roli i kulturës dhe i artit në Evropën Juglindore".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›