LSI-ja denoncon vonesat për hartimin e Kodit Zgjedhor
LSI-ja ka denoncuar sërish shtyrjen për të disatën herë rresht të afatit të Komisionit të posaçëm të Reformës Zgjedhore. Kryetari i KDK-së së LSI-së, Edmond Haxhinasto, e cilësoi këtë shtyrje si të qëllimshme dhe si shprehje të papërgjeshmërisë politike për të realizuar këtë reformë. Ai akuzoi dy partitë kryesore, PS e PD, se po ndjekin një strategji aspak transparente dhe që po u shkon për shtat interesave të tyre.
“Kjo shtyrje e re e afateve të Reformës, afate që po u afrohen limiteve të zgjedhjeve të ardhshme, është tregues i qartë se dy forcat politike bashkëdrejtuese të Komisionit, PS dhe PD, do të zbatojnë të njëjtën strategji të ndjekur për amendimet që shkatërruan Kushtetutën. Qëllimi i një strategjie të tillë është që PS-ja e PD-ja të marrin vendimet për çështjet më të rëndësishme e më të diskutueshme të Kodit, nën presionin e kohës, pra një vendim-marrje blic, në mungesë transparence dhe pa procesin normal të gjithëpërfshirjes dhe diskutimit parlamentar, me qëllim që të përfitojnë padrejtësisht në dëm të partive të tjera dhe në dëm të vetë demokracisë në vend”, - tha Haxhinasto.
Fondacioni “Qemal Stafa”, konferencë për transparencën e partive
Njëvjetori i fondacionit “Qemal Stafa” ka mbledhur në Tiranë të gjitha fondacionet e majta në Bashkimin Europian dhe Ballkan. Përfaqësuesit e mbi 12 fondacioneve nga Bashkimi Europian dhe 19 partive kanë marrë pjesë në këtë konferencë ndërkombëtare për të diskutuar mbi transparencën dhe rolin e partive politike.
Në këtë konferencë ka marrë pjesë edhe zv.presidenti i Partisë Socialiste Europiane në Parlamentin Europian, Kristian Vigenin, si dhe eurodeputeti Rob van der Ëater. Tema kryesore e këtij takimi kishte të bënte me transparencën dhe rolin e partive politike. Drejtori Ekzekutiv i fondacionit “Qemal Stafa”, Saimir Tahiri, tha se PS-ja është një forcë politike që siguron transparencë, ndërkohë që sipas tij një gjë e tillë i mungon maxhorancës.
“Është transparenca si element themelor i një shoqërie demokratike që na jep mundësinë të krijojmë dituri mbi ata që marrin vendim për fatet tona. Ndërkohë që pjesëmarrja na mundëson realizimin e të drejtës së çdo individi për tu bërë pjesë e proceseve vendimmarrëse. Mjafton të kthesh kokën nga ana tjetër e të shohësh sesi në maxhorancën aktuale gatuhen në errësirë të plotë, jo vetëm p/ligje dhe vendime, por edhe tragjedi njerëzore si ajo e Gërdecit”, - tha Tahiri.
29 Shtator 2008