E Diel, 1 Nëntor 2026

Kreu i PS-së, Edi Rama: “Pse do të vazhdojmë të bëjmë opozitë ndryshe”



Shaban Sulçe
Edi Rama konfirmon se Partia Socialiste është kundër çdo lloj forme radikale të të bërit opozitë ndaj qeverisë dhe kryeministrit Berisha. Pavarësisht kritikave për opozitë “të butë” në drejtim të tij, Rama deklaron se është përfundimisht i vendosur që aksionin opozitar ndaj kryeministrit Berisha, ta realizojë pa kaluar limitet e një opozite qytetare.
Sipas tij kjo mënyrë e të bërit opozitë do të ndajë Shqipërinë nga e shkuara e saj e dhimbshme e saj. “Ne do të vazhdojmë ta ndajmë Shqipërinë nga e shkuara e saj dhe politikën shqiptare nga bataku i të shkuarës së vet, që për fat të keq është e tashme për të gjitha forcat politike në Shqipëri. Ne do të vazhdojmë t’i japim jetë një politike të re energjish pozitive, një politike të re ballafaqimi në funksion të interesave të vendit dhe të njerëzve. Një politikë të re që në qendrën e gravitetit të saj nuk ka interesat e politikanëve dhe grupeve të tyre për pushtet, por ka interesat e qytetarëve. Unë ju siguroj që është forca e arsyes dhe jo arsyeja e forcës që i duhet sot Shqipërisë dhe që sot shqiptaret dhe shqiptarët shohin përditë e më shumë tek opozita jonë. Nëpërmjet forcës së arsyes dhe jo arsyes së forcës, ne do të arrijmë të triumfojmë ato ide dhe ato alternativa, pa të cilat të gjithë sektorët e jetës tonë të mbërthyer nga krizat sistematike, nuk do të dalin dot në dritën e BE-së”, - tha Rama, gjatë një takimi të zhvilluar me gazetarët.

Reforma në Drejtësi Kryetari i Partisë Socialiste foli gjithashtu për çështjen e reformës në Drejtësi. Sipas Ramës, Partia Socialiste gjithmonë ka qenë e gatshme për të kontribuar në realizimin me sukses të kësaj reforme të rëndësishme, por ai theksoi se kjo gatishmëri ka munguar nga ana e maxhorancës. Ai akuzoi PD-në dhe kryeministrin Berisha se kanë plane tinëzare për reformën në Drejtësi, duke tentuar që të kontrollojnë Prokurorinë dhe Këshillin e Lartë të Drejtësisë. “Jo vetëm kaq, por duke bërë një politikë skuthe, në raport me sistemin e drejtësisë, përmes të gjitha atyre episodeve të papëlqyeshme që ju ua keni bërë prezent opinionit publik dhe që tregojnë një vullnet të mbrapshtë për të vënë nën kontroll posaçërisht prokurorinë, për të trysnuar dhe manipuluar KLD-në, për të mos lejuar që sistemi i drejtësisë të dalë nga kontrolli tradicional dhe i mbrapshtë i forcave qeveritare në këtë vend. Megjithatë, ne jemi këtu për të vazhduar të bëjmë detyrën tonë karshi vendit dhe njerëzve”, - vijoi Rama. Reforma zgjedhore Kryetari i Partisë Socialiste konfirmoi gjithashtu vullnetin e selisë rozë për të çuar deri në fund reformën zgjedhore dhe Kodin e ri Zgjedhor. Sipas Ramës, është shumë e rëndësishme që kjo të realizohet me konsensus. Ai theksoi se nuk shqetësohej nga vonesat që mund të hasen deri në realizimin e plotë të Kodit Zgjedhor. Sipas Ramës, më i rëndësishëm është produkti, pra Kodi i ri Zgjedhor, që do të çohet në Parlament për t’u votuar. “Unë nuk jam shumë i shqetësuar për datat që lëvizin, për shkak të punës së ekspertëve. Unë jam i shqetësuar për rezultatin dhe cilësinë e produktit që do t’i jepet për miratim Kuvendit të Shqipërisë, pasi të kalojë në të gjitha hallkat institucionale të këtij procesi. Ne po punojmë intensivisht, përmes ekspertëve tanë, për të bërë të mundur që kjo cilësi të jetë ajo e dëshiruara. Të shpresojmë që nga ana e forcave qeveritare, nuk do të ketë arsye dhe vullnet që do t’i kundërvihen cilësisë së këtij produkti. Deri tani mund të them vetëm që ne jemi të gatshëm dhe të qartë si duhet të jetë Kodi i ri Zgjedhor në Republikën e Shqipërisë. Pala tjetër duhet të demonstrojë të njëjtën gatishmëri dhe qartësi, në mënyrë që t’ju japim shqiptarëve mundësinë që pas kaq vitesh procesesh zgjedhore të deformuara dhe zhgënjyese, të kenë një proces, ku vota e tyre të shkojë aty ku ata e çojnë dhe çdo votë të numërohet në mënyrë të barabartë. Programi qeverisës Gjatë takimit të djeshëm me gazetarët, Rama tha se programi qeverisës i PS-së po ecën ashtu siç ishte parashikuar dhe në hartimin e tij po përmblidhen të gjitha shqetësimet dhe nevojat e njerëzve. “Çdo gjë po ecën sipas planit tonë dhe shqiptaret e shqiptarët në të gjithë Shqipërinë, po marrin pjesë në përgatitjen e programit tonë, i cili po formësohet në bashkëpunim me njerëzit, për të gjithë ata sektorë ku janë njerëzit që po flasin. Jemi ne që po mbledhim me shumë vëmendje dhe vullnet të gjitha shqetësimet, sugjerimet e tyre dhe ku sigurisht, në kohën e duhur, do të bëhet edhe ballafaqimi përfundimtar i ideve që do të dalin nga ‘Rruga e ideve për të ardhmen’, që sapo ka nisur me fazën e dytë të ‘Dialogut me Shqipërin뒔, - tha Rama.

29 Shtator 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›