Reformimi i Drejtësisë, Kuvendi nis punën me ligjin për avokaturën
Komisioni i Ligjeve pritet të nisë në javën në vijim diskutimet për projektligjet që kanë ardhur nga qeveria për reformimin e sistemit të drejtësisë. Burime pranë Kuvendit shprehet se nga 7 projektligjet që ka dërguar qeveria pas projektligjit “Për administratën gjyqësore”, puna do të nisë me projektligjin për avokaturën. Të njëjtat burime saktësojnë se gjendja e krijuar në gjykata, ku avokatët braktisin gjyqet për interesa të ngushta, ka bërë që diskutimi të nisë me këtë projektligj. Njëkohësisht bëhet e ditur se pas këtij projekti, do të nisë shqyrtimi edhe për projektligjin për noterinë. Aktualisht Komisioni i Ligjeve pritet të përfundojë nga shqyrtimi dhe më par të miratojë projektligjin për “Administratën Gjyqësore”. Projektligji për “Administratën Gjyqësore” është propozuar nga Ministria e Drejtësisë. Në relacionin e projektligjit thuhet se për herë të parë në Republikën e Shqipërisë vendoset një trajtim normativ në kuadrin e ligjit për administratën gjyqësore. Ky projektligj do të jetë akti normativ me fuqinë e ligjit, i cili do të përcaktojë statusin, karrierën, të drejtat, detyrimet dhe pagesën e administratës gjyqësore. Ministri Alibeaj ka bërë të ditur se drafti do të bëjë të mundur që të kemi një administratë më profesionale, cilësore dhe në shërbimin e saj ndaj gjyqësorit. Tashmë pritet që administrata gjyqësore të përfitojë dhe një dyfishim të pagës, trajtim ky që do të përfshihet në buxhetin e vitit 2009. Ministria e Drejtësisë ka përgatitur projektvendimin përkatës dhe në planin e buxhetit të vitit 2009 janë parashikuar edhe efektet financiare. Projektligji është hartuar në bashkëpunim me kryetarët e gjykatave. Për realizimin e tij është marrë mendimi edhe i organizatave ndërkombëtare.