E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bogdani: Rama ka frikë nga firma e të atit

Partia Demokratike fton kryesocialistin Edi Rama të gjejë kurajë dhe të shkëputet nga mbrojtja e lidhjeve të tij të vjetra, pasi kjo do ta ndihmojë të shikojë përpara. Përmes zëdhënësit Gerti Bogdani, PD-ja akuzoi se Rama, pasi tërhoqi grupin parlamentar nga debati për ligjin e pastërtisë së figurave, doli përpara shqiptarëve për të bërë sulmin e radhës ndaj Kryeministrit Berisha. “Kryeministri ka respekt për të ekzekutuarit e regjimit dhe familjarët e tyre, ka respektin më të madh edhe për të vërtetën, e cila tmerron Edi Ramën. Bogdani bëri të ditur se në diskutimin e tij Kryeministri theksoi se z. Rama po pengon Partinë Socialiste dhe po e rendit atë krahas Partisë Socialiste Serbe dhe Partisë Radikale Serbe, si tri parti që nuk e pranojnë lustracionin. “Z. Rama e bën këtë vetëm e vetëm për të mbrojtur lidhjet e tij me të kaluarën e zezë të tij. Në rast se zoti Rama do të faktojë të kundërtën, duhet t’u kërkojë të falur shqiptareve për firmën që ati i tij, si anëtar i Presidiumit të Kuvendit Popullor, ka vendosur për ekzekutimin e intelektualëve të shquar Avzi Nela, Vilson Blloshmi, Gazmend Leka dhe dhjetëra e dhjetëra të tjerë. Zoti Rama duhet t’u kërkojë të falur shqiptareve për dhjetëra e dhjetëra bij dhe baballarë të cilët u ekzekutuan nga ekspertiza e pseudointelektualit Spiro Koleka”, - tha z. Bogdani. Ai shtoi se Rama e di mirë se Kryeministri Berisha nuk bën përgjegjës djalin për të atin, por Rama nuk pranon lustracionin dhe fakton se më shumë se gjithçka mbron të shkuarën e familjes së tij.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›