E Shtunë, 31 Tetor 2026

SHBA: Ligji për dosjet ngre pikëpyetje kushtetuese

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë ka mbajtur sërish qëndrim mbi debatet e nxehta politike, duke dhënë mendimin e saj për çështjen e hapjes së dosjeve, e cila ka sjellë një debat të fortë ditët e fundit. Projektligji që pritej të kalonte në Parlament të hënën në darkë, por u shty për t’u plotësuar me amendamente shtesë, është cilësuar nga kjo ambasadë si një projekt i paplotë. Për këtë arsye, ambasada në një deklaratë për shtyp shpërndarë dje për median, kërkon që të ketë një debat publik mbi të dhe t’i jepet koha e mjaftueshme për ta ndryshuar e sjellë në formën që mos të krijojë probleme me Kushtetutën. “Qeveria e SHBA-së mirëpret shtyrjen e votimit mbi projektligjin “Për pastërtinë e figurave”. Ne jemi të inkurajuar që ky hap i rëndësishëm do të japë kohë për reflektim të matur dhe debat të hapur publik, të nevojshme për një projektligj që ngre pikëpyetje serioze kushtetuese dhe ligjore”, - thuhet në njoftimin e djeshëm të kësaj ambasade. Në këtë kontekst, përfaqësia diplomatike e Uashingtonit kërkon rishqyrtim të ligjit. Më tej, në deklaratë thuhet se “gjithashtu nxisim fuqimisht që shqyrtimi i mëtejshëm i këtij projektligji të përfshijë pikëpamjet e ekspertëve ligjorë ndërkombëtarë për të siguruar përputhjen e tij të plotë me standardet ndërkombëtare”. Projektligji në fjalë ka disa kohë që diskutohet në komisionet parlamentare në Kuvend, por vetëm ditët e fundit ka marrë formën përfundimtare dhe PD-ja ka deklaruar se do ta votojë së shpejti. Opozita mendon se bie në kundërshtim me Kushtetutën dhe se bëhet për arsye politike të mazhorancës. Tashmë në debat ka dhe një qëndrim të diplomacisë amerikane, e cila ka qenë shumë e ndjeshme për sa u përket çështjeve të rëndësishme me të cilat është përballur politika dhe opinioni publik.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›