LSI: Vetëm një formulë për ndarjen e mandateve
Lëvizja Socialiste për Integrim zyrtarizoi dje kërkesën për ndryshime në Kodin Zgjedhor. Përfaqësuesi i kësaj partie në komision, Spartak Braho, edhe pse PS-ja kundërshton t’i marrë në shqyrtim, dorëzoi dje në sekretari propozimet e LSI-së për disa nene që lidhen me administrimin e zgjedhjeve dhe me ndarjen e mandateve brenda koalicionit. Kërkesa është bërë bazuar në nenin 86, pika 2 e rregullores së Kuvendit, e cila thotë se komisioni përkatës shqyrton dekretin e Presidentit, por lihen hapësira dhe për ndryshime në nene të tjera.
LSI-ja propozoi ndryshime në nenet 14, 29 dhe 163 të Kodit Zgjedhor. Kjo parti propozon që të ruhet formula 6+1 në Komision Qendror të Zgjedhjeve, por thekson se në të jenë të përfaqësuara tri partitë e para, majtas dhe djathtas. Sipas kësaj formule, PD e PS të kenë një anëtar, ndërsa formula aktuale parashikon dy të tillë. LSI-ja vëren se neni 14, pika a të formulohet si e tillë ku
tre anëtarë propozohen përkatësisht nga partia e parë, e dytë dhe e tretë e shumicës parlamentare dhe tre anëtarë propozohen përkatësisht nga partia e parë, e dytë dhe e tretë e opozitës parlamentare. Sipas kësaj formule, PD, PR dhe PDK nga e djathta si dhe PS, LSI e PSD nga e majta, do të jenë të përfaqësuara në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Më tej, propozohet që zgjedhja e anëtarëve të KQZ-së sipas këtij neni, zhvillohet në një ditë të vetme. Ndërsa renditja e partive sipas përcaktimeve të këtij neni, bëhet mbi bazën e numrit të mandateve që ka fituar partia politike në zgjedhjet pararendëse për në Kuvend. Të njëjtën formulë LSI-ja propozon edhe për nenin 29 që flet për përbërjen e KZAZ-së. “KZAZ-ja përbëhet nga 7 anëtarë dhe sekretari, të cilët emërohen nga KQZ-ja sipas procedurës së mëposhtme: tre anëtarë propozohen përkatësisht nga partia e parë, e dytë dhe e tretë e shumicës parlamentare dhe tre anëtarë propozohen përkatësisht nga partia e parë, e dytë dhe e tretë e opozitës parlamentare”, - thuhet në draftin e LSI-së. Kjo mënyrë e zgjedhjes së anëtarëve të KZAZ-ve të respektohet dhe për zgjedhjen e anëtarëve të KQV-ve dhe GNV-ve, duke respektuar ndryshimet në nenet 36 dhe 95/2 të këtij Kodi.
Ndarja e mandateve
LSI-ja kërkon përcaktimin në Kodin Zgjedhor të një formule të vetme të ndarjes së mandateve në koalicion. Aktualisht, janë të sanksionuara dy formula të tilla si një mënyrë që të joshë partitë e vogla të bëjnë koalicion me dy partitë e mëdha, në të kundërt, nëse ato dalin të vetme, u duhet një numër shumë herë më i madh votash për të marrë një mandat deputeti. Në draftin e kësaj partie thuhet se numri i votave të vlefshme të secilës parti pjesëtohet në mënyrë të vazhdueshme me numra natyrorë të njëpasnjëshëm të quajtur pjesëtues, duke filluar me numrin 1 dhe duke përfunduar me numrin natyror që i korrespondon dyfishit të numrit të mandateve që shpërndahen në zonën zgjedhore përkatëse. Në rast se herësi që përfitohet nga pjesëtimi, është një numër me mbetje dhjetore, si herës merret numri i plotë më i afërt.