Poliçan, asgjëshet 113 kg lëndë plasëse
Ministri i Mbrojtjes, Gazmend Oketa, mori pjesë dje në operacionin e asgjësimit të lëndëve plasëse iniciale, të organizuar nga Ministria e Mbrojtjes, të cilat magazinoheshin në tri depo në fabrikën e Poliçanit. Sipas zyrës së shtypit të Ministrisë së Mbrojtjes, ministri Oketa, pasi ndoqi nga afër të gjithë këtë operacion deklaroi se “kjo ishte një situatë e mbartur dhe rrezikshmëria e këtyre municioneve tashmë u reduktua”. Ministria e Mbrojtjes, sipas Oketës, ka disa kohë që ka projektuar mënyrën e asgjësimit të lëndëve iniciale të Poliçanit dhe pas një studimi të mirëfilltë, pas lejes mjedisore nga Ministria e Mjedisit dhe pas bashkëpunimit me pushtetin lokal, kjo sasi u eliminua me sukses të plotë. Kreu i Ministrisë së Mbrojtjes, Gazmend Oketa, falënderoi qytetarët e Poliçanit, pushtetin vendor, Këshillin Bashkiak për bashkëpunimin e frytshëm në të mirë të realizimit të këtij operacioni dhe në mënyrë të veçantë të gjithë ata që e realizuan atë me sukses. Në 3 depot e Poliçanit ishin të depozituara rreth 113 kg lëndë iniciale të mbetura prej vitesh, të cilat përbënin dhe rrezik serioz për jetën e punonjësve dhe ambientin gjithashtu. Për asgjësimin e tyre u angazhuan rreth 58 vetë të personelit ushtarak dhe civil, përfaqësues të strukturave të asgjësimit të municioneve e eksplozivave, të Laboratorit Qendror të Forcave të Armatosura, personelit të mbrojtjes nga zjarri, Policia e Shtetit dhe ajo Bashkiake e Poliçanit. Aktualisht, sot në territorin e Republikës së Shqipërisë gjenden rreth 25 depo, të cilat mbajnë rreth 100.000 tonë municione të llojeve të ndryshme.