E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqipëria hap ambasadë në Nju Delhi

Shqipëria hap ambasadën e saj në kryeqytetin e Indisë, Nju Delhi. Ministria e Punëve të Jashtme njoftoi dje se kryediplomati shqiptar, Lulzim Basha, u nis dje drejt Indisë ku do të marrë pjesë në ceremoninë zyrtare të hapjes së ambasadës tonë në kryeqytetin Indian, Nju Delhi. Basha do të vizitojë edhe Selinë e Urdhrit të Nënë Terezës në Kalkuta. Kjo është vizita e parë e këtij niveli që zhvillohet në marrëdhëniet ndërmjet të dy vendeve. Gjatë kësaj vizite, ministri Basha do të zhvillojë takime me homologun e tij indian z. Pranab Muhjerje, zyrtarët më të lartë të vendit, si dhe me përfaqësues të biznesit indian. Temat kryesore të bisedimeve që do të zhvillojë ministri Basha do të jenë bashkëpunimi dypalësh dhe shumëpalësh ndërmjet të dy vendeve si dhe zhvillimet në politikën ndërkombëtare rajonale dhe globale. Në këtë vizitë, ministri Basha shoqërohet nga zv.ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës, z. Eno Bozdo, dhe përfaqësues të dhomave të tregtisë dhe Konfindustrisë.

Presidenti Topi dekreton “Buxhetin 2009”

Presidenti i Republikës, Bamir Topi dekretoi dje 4 ligje të rëndësishme, mes të cilëve dhe buxheti i qeverisë për vitin 2009. Kështu kryetari i shtetit hodhi firmën mbi ligjin "Për buxhetin e vitit 2009" me nr. dekreti 5974, ligjin nr. 10 022, datë 24.11.2008 "Për një ndryshim dhe një shtesë në ligjin nr. 8537, datë 18.10.1999 "Për barrët siguruese", të ndryshuar me nr. dekreti 5973; ligjin nr. 10 021, datë 24.11.2008 "Për ratifikimin e "Marrëveshjes dhe protokollit bashkëlidhur ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Këshillit Federal Zviceran për transportin ndërkombëtar rrugor të udhëtarëve dhe të mallrave" me nr. dekreti 5972 si dhe ligjin nr. 10.020, datë 24.11.2008 "Për ratifikimin e "Marrëveshjes ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës Federale të Gjermanisë për hapjen e zyrës lokale gjermane për bashkëpunimin për zhvillim në Shqipëri" me nr. dekreti 5971.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›