E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama, Berishës: Mos më sulmo familjen

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, i kërkoi Kryeministrit Berisha që të mos sulmojë më familjen e tij. Referuar debatit të dy ditëve më parë në Kuvend për ligjin e dosjeve, Rama tha se Berisha ka përdorur emrin e babait të tij për ta akuzuar se ka lidhje me komunizmin. Sipas Ramës, “nuk është hera e parë që Sali Berisha prek të vdekurit e të gjallët e familjes sime. As nuk jam unë i pari që duhet të përjetojë shijen e hidhur të kësaj politike të ndyrë urrejtjeje dhe që duhet të qetësojë nënën e djalin tim, të dhunuar nga gjuha e egër e tij”, - Kreu i PS-së iu rikthye sërish tezës së tij se ligji është bërë enkas i tillë për të sulmuar drejtësinë, ndërsa vuri në dukje se asnjë i përndjekur politik nuk ka marrë ende asnjë qindarkë nga kjo qeveri që s'bën kurrë atë që thotë.

“Sali Berishës duhet t'i vijë turp nga shfaqja e shëmtuar e dyfytyrësisë që dha mbrëmë, sepse ndërkohë që të përndjekurve politikë u ka marrë prej 17 vjetësh jo vetëm votën, po edhe flamurin, tani që po mbaron edhe mandati i tij i fundit për të drejtuar punët e vendit, kërkon që me gjakun, plagët, vuajtjet, sakrificat, hallet e problemet e tyre të pafundme sot e gjithë ditën, jo vetëm të mbulojë duart e pista të kësaj qeverie të kalbur nga korrupsioni, po edhe të marrë përsëri një mbështetje tërësisht të pamerituar për të përfaqësuar këtë shtresë të vrarë e të torturuar nga Enver Hoxha dhe të mashtruar e të përqeshur nga sekretari i tij i dikurshëm, komunisti i vjetër, Sali Berisha”, - tha kreu i PS-së.

LSI: Ligji i dosjeve, farsë

Sekretari i përgjithshëm i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili, tha dje se ligji për hapjen e dosjeve është farsë, e si të tillë, LSI-ja nuk mund ta votojë. Sipas arsyetimit të tij, gjithë debati e situata që është krijuar për këtë ligj, është e qëllimshme për të tërhequr vëmendjen e opinionit publik nga çështje të tjera.

“E gjithë kjo iniciativë e fundit, abortive, për të ashtuquajturin ligjin e dosjeve apo të spiunëve, të pagëzuar në mënyrë gjithfarësh, ka qenë konsideruar nga ne një farsë e radhës për të krijuar një fokus vëmendjeje të re politike për opinionin publik, një vëmendje dhe një fokus të paqenë. Duke qenë një farsë, ajo nuk do ta meritonte votën tonë, sepse ne nuk votojmë farsë”, - tha ai. Po dje, LSI-aj tha se ka nivel të ulët të realizimit të investimeve nga qeveria e Berishës. Sipas Vasilit, shifrat skandaloze të realizimit te investimeve janë provë e qartë e dështimit të kësaj qeverie në politikën e investimeve.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›