E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bogdani: Rama, në 3 vjet, asnjë shkollë e ndërtuar

PD-ja akuzoi dje kryebashkiakun e Tiranës, Edi Rama, se mashtron kur thotë se në këto 3 vite bashkia ka ndërtuar nga themelet mbi 23 shkolla. Sipas demokratëve, Rama nuk ka ndërtuar këto tre vjet asnjë shkollë të re. Zëdhënësi i PD-së, Gerti Bogdani, kritikoi dje faktin se rikonstruksioni i shkollave në Tiranë janë bërë me fondet e qeverisë dhe jo të bashkisë. “Rikonstruksioni i shkollave në Tiranë është bërë nga qeveria shqiptare, me kredinë prej 18.6 milionë euro qe ka marrë nga BERZH-i. Banka Europiane per Rindertim dhe Zhvillim ka financuar të gjithë ndërtimin dhe rikonstruktimin e shkollave në Tiranë. “Rama, me fondet minimale që ka përcaktuar për arsimin në buxhetin e Bashkisë së Tiranës nuk ka ndërtuar këto tre vjet asnjë shkollë të re”, - tha z.Bogdani, njëkohësisht dhe kryetar i minibashkisë numër 10. Sipas zëdhënësit të PD-së, Bashkia e Tiranës deri tani nuk ka qenë në gjendje të dorëzojë asnjë nga shkollat e reja që janë në ndërtim. Ai vuri në dukje se “marrëveshja duhej të ishte zbatuar në vitin 2007, por me këto ritme të ulëta të Bashkisë së Tiranës, ka shumë gjasa të mos mbarojë as në 2008-ën, dhe viti i ri shkollor t’i gjejë nxënësit e Tiranës përsëri nga 60 veta në klasë”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›