E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ministrat e rinj, Berisha u cakton detyrat

Ndryshim karrigesh, mbi të cilat u ulën ministrat e rinj, shtrëngime duarsh dhe mirëseardhje për më të rinjtë e stafit të Këshillit të Ministrave. Madje nuk ka munguar as humori i Kryeministrit me ministren Bregu teksa i vuri në dukje se tashmë nuk është e vetmja femër në qeveri. Por njëherësh me prezantimin në mbledhjen e tyre të parë, edhe komunikimi i detyrave që do kryejnë të sapoardhurit në kabinetin qeveritar. Kryeministri Sali Berisha nuk ngurroi dje që menjëherë pas urimit për suksese në punën e re, të ndajë dhe detyrat prioritare që do bëjnë Fatos Beja, Anila Godo dhe Genc Pollo. Por, ministres së re të Shëndetësisë i është dashur dje të dëgjojë kritikat e para dhe të drejtpërdrejta të kreut të qeverisë për sektorin nga ajo ka ardhur. Z.Berisha i kërkoi ministres se re, Anila Godo, reformim të thellë të sistemit të shëndetësisë. Kryeministri e quajti këtë sistem si më të korruptuarin, teksa siguroi se ministrja e re Godo do të ketë gjithë mbështetjen e qeverisë së tij për të luftuar korrupsionin në këtë sektor jetik për qytetarët. Në këtë mënyrë, Berisha paralajmëroi znj.Godo për barrën e madhe që e pret. Duke iu referuar në mënyrë të veçantë sistemit të shëndetësisë, Berisha bëri të ditur se korrupsioni është evident tek bluzat e bardha. “Ju keni një barrë të rëndë. Në këtë sistem ne kemi probleme madhore. Në këtë sistem ne kemi bluza të bardha të cilat shërbimin publik, të garantuar me Kushtetutë që të jetë falas, e shesin si shërbim privat. Ne nuk mund te pranojmë kategorikisht që ky shërbim publik t’u shitet si shërbim privat taksapaguesve tanë për pasurimin e këtij apo atij individi”, - tha Kryeministri. Në kushte të tilla Berisha i ka bërë thirrje ministres së re të Shëndetësisë, Anila Godo, të reformojë sistemin e shëndetësisë. Po për Ministrinë e Shëndetësisë, Berisha këshilloi Godon që ajo të mund t’i japë fund fenomenit të dypunësimit të mjekëve. I përqendruar më pas tek reformat, Berisha i kërkoi z.Beja që si ministër i Arsimit të çojë deri në fund reformën në arsim të lënë përgjysmë nga Pollo. Për këtë të fundit, Berisha përcaktoi që në detyrën e zv.kryeministrit, Pollo do të ndjekë ecurinë e reformës në shëndetësi dhe në arsim për moshën dixhitale. Gjatë mbledhjes së djeshme u kërkua që të gjithë ministrat duhet të dorëzojnë buxhetet përkatëse që në fund të muajit gusht.

Betimi para Presidentit, mungojnë Berisha e Topalli

Qeveria e re betohet tek Presidenti i Republikës, Bamir Topi, pak çaste para fillimit të mbledhjes së Këshillit të Ministrave përpara Presidentit të Republikës Bamir Topi. Ceremonia u zhvillua dje paradite në selinë e Presidencës. Në këtë ceremoni ra në sy mungesa e krerëve të tjerë të shtetit, e Kryeministrit Sali Berisha dhe Kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli, edhe pse duket marrëdhëniet Presidencë-mazhorancë janë përmirësuar së fundmi. Kryetari i Partisë Demokrate të Re, Genc Pollo bëri betimin si zv.kryeministër. Anila Godo, vajza e politikanit të njohur republikan Sabri Godo, bëri betimin si ministre e Shëndetësisë. Fatos Beja bëri betimin si ministër i Arsimit. Ndryshimet në kabinetin qeveritar u miratuan në Kuvend të enjten, pikërisht në seancën e fundit plenare për këtë sesion.

Parlamenti votoi me 84 vota pro dhe 30 vota kundër shkarkimin e Genc Pollos nga posti i ministrit të Arsimit dhe Shkencës dhe miratimin e tij në postin e zv.kryeministrit me 78 vota pro dhe 47 vota kundër. Po kështu, Kuvendi miratoi me 81 vota pro emërimin e Fatos Bejës në postin e ministrit të Arsimit dhe Shkencës. Ndërkohë, është shkarkuar nga posti i ministrit të Shëndetësisë me 74 vota pro dhe 43 vota kundër Nard Ndoka. Në vend të Ndokës, shumica e deputetëve në Parlament votuan pro emërimit të Anila Godos në postin e ministrisë së Shëndetësisë me 79 vota pro dhe 45 vota kundër.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›