Bogdani: Rama, pinjolli i byrosë politike, që drejton ish-Partinë Komuniste
Partia Demokratike i ka kujtuar dje partisë më të madhe në opozitë, prejardhjen e saj politike dhe pikërisht në ditën e krijimit të Partisë Komuniste shqiptare, parti që solli më pas diktaturën komuniste në vend. “8 nëntori është një ditë e mbrapshtë, madje mund të thuhet e ligë, në historinë tonë kombëtare. Më 8 nëntor të vitit 1941, Partia Komuniste Jugosllave themeloi degën e saj në Tiranë, partinë që sot e drejton z. Rama”, - tha dje zëdhënësi i PD-së, Gerti Bogdani. Sipas tij, “ata që themeluan në Tiranë degën e partisë së tyre vendosën në krye të saj njeriun që me qëndresën legjendare të shqiptarëve ndaj pushtuesve bëri çdo gjë për ta shndërruar në një konflikt civil. Vendosën Enver Hoxhën, diktatorin që pas luftës do ta shkëpuste vendin nga trungu i familjes së kombeve të lira dhe do të vendoste në Shqipëri diktaturën më të egër të të gjitha kohërave mbi shqiptarët”. Bogdani e cilësoi Edi Ramën si pinjoll të byrosë politike dhe PS-në si një parti që vazhdon t’i ngjasojë partisë mëmë. Ai u shpreh se “partia që u themelua nga Mugosha dhe Popovici në vitin 1941, do ta ndërronte emrin si gjarpri lëkurët. Në qershor 1991 do të vetëpagëzohej, Partia Socialiste, por duke shpallur veten si trashëgimtare juridike dhe pasuese të veprave të Partisë së Punës së Shqipërisë. Sot, në 67-vjetorin e saj dhe pas 17 vitesh të saj me emër të ri, ajo drejtohet nga Edi Rama, pinjoll direkt i familjeve të byrosë politike dhe Komitetit Qendror, që drejtuan partinë deri në 1991-shin. Sot ajo drejtohet nga Gramoz Ruçi, ish-ministër i Sigurimit famëkeq të Shtetit gjatë diktaturës”. Sipas tij, udhëheqja e saj aktuale nuk flet më kundër imperializmit dhe as kapitalizimit, por “me trashëgiminë më të shëmtuar të kësaj partie, mohon çdo ditë dhe disa herë në ditë, çdo vlerë, çdo arritje dhe çdo sukses të Shqipërisë në rrugën e saj drejt Perëndimit”. “U servir shqiptarëve me zëdhënësit dhe mediat që kontrollon supën e hidhur të trillimeve, mashtrimeve, falsifikimeve të realitetit shqiptar”, - përfundoi zëdhënësi i selisë blu.