Topalli: Institucionet të lexojnë me seriozitet raportin e KE-së
Kryetarja e Parlamentit, Jozefina Topalli, u bën thirrje institucioneve që raportojnë në Kuvend, që ta lexojnë në mënyrë të drejtë progres-raportin e KE-së për Shqipërinë. Ajo ftoi dje të gjitha institucionet që ta lexojnë këtë dokument me seriozitet, që ai të jetë kalendar pune jo vetëm për qeverinë dhe Parlamentin, por edhe për to. Kurse apelit të ndërkombëtarëve për zgjedhje të lira dhe të barabarta, znj. Topalli i përgjigjet me angazhimin e mazhorancës për të realizuar zgjedhje të ndershme dhe të barabarta. Sipas saj, zgjedhjet e reja të 2009-s, do të realizohen brenda standardeve. "Ju sigurojmë se jemi të vendosur që vitin e ardhshëm të bëjmë zgjedhjet më të mira, zgjedhje të lira e të ndershme. Sfida kryesore, Kodi Elektoral është prioriteti ynë, vëmendja jonë dhe ai do të mbyllet së shpejti. Po ashtu dhe reforma në drejtësi dhe çështja e imuniteteve të deputetëve e zyrtarëve, do të jenë fokusi real i punës dhe i axhendës së këtij Kuvendi", - deklaroi znj. Topalli. Gjatë një konference për shtyp, kryetarja e Kuvendit, Topalli, dje siguroi se Kodi Elektoral do të mbyllet së shpejti, duke përmbushur kështu edhe një nga rekomandimet e progres-raportit. Ndërkaq për kryetaren Topalli, ashtu si për shumë figura të rëndësishme të mazhorancës, progres-raporti i KE-së për këtë vit është më pozitivi që është hartuar ndonjëherë për Shqipërinë. Ndërkaq kryeparlamentarja Topalli pohoi se tashmë sfidat e Kuvendit janë kufizimi i imunitetit dhe reforma në drejtësi. "Ky dokument do të na shërbejë si axhendë kombëtare. Kuvendi ka konsoliduar rolin e tij, ndërsa Kodi Zgjedhor është përparësia jonë", - u shpreh Topalli. Kryetarja e Kuvendit premtoi se së shpejti në Parlament do të miratohet reforma në drejtësi dhe projektligji për imunitetin e zyrtareve, dy çështje shumë të rëndësishme. Në gjykimin e saj, ky raport është një vlerësim objektiv i punës së Parlamentit. “Në secilën prej 56 faqeve të tij, fjala "progres" përmendet mbi 100 herë dhe në shumë faqe kjo fjalë përsëritet 5-6 herë”, - tha Topalli. Ajo citoi raportin në fjalë, sipas të cilit, "Parlamenti ka theksuar më shumë rolin e tij, si fokusi kryesor i debatit politik. Ky institucion, gjithashtu, ka miratuar një numër të konsiderueshëm ligjesh për të përafruar legjislacionin me aqcuis". Për këtë Topalli u shpreh: "Jam krenare që Kuvendi vetëm vitin e kaluar ka miratuar jo pak, por 314 ligje, vendime e akte normative, 13 rezoluta, 31 interpelanca, 14 raportime, në 91 seanca plenare, ose 360 orë debat vetëm në seanca plenare. Momenti kulmor i punës së parlamentarizmit, padyshim ka qenë ndryshimi i Kushtetutës, i sistemit elektoral, i mënyrës së zgjedhjes së Presidentit dhe i mandatit të Prokurorit të Përgjithshëm". Duke iu referuar raportit të BE-së, ajo tha se "në këtë periudhë, forcat politike filluan të bashkëpunojnë për çështje madhore. Ky konsensus midis mazhorancës dhe opozitës ka rezultuar me progres në reformën gjyqësore dhe atë elektorale". Topalli vuri në dukje dhe zhvillimet pozitive në fushën e lirisë së shprehjes, ku janë adoptuar ligje në politikën e mediave. Në këtë kuadër, ajo tha se "KKRT dhe Parlamenti kanë përgatitur një plan veprimi mbi reformën në media dhe kanë draftuar një strategji të dixhitalizimit. Besoj se Komisioni Parlamentar i Edukimit dhe Mjeteve të Informimit Publik në bashkëpunim me KKRT-në, me asistencën e BE-së dhe Këshillin e Evropës, do të dalë me një produkt konkret të një projektligji për median të standardeve evropiane". Gjithashtu, kryetarja e Parlamentit vlerësoi dhe progresin e konstatuar në këtë raport lidhur me të drejtat e grave e fëmijëve, për ligjet e miratuara për çështjet gjinore, sidomos për kalimin e shumë ligjeve të reformave ekonomike.