E Shtunë, 31 Tetor 2026

Braçe: Të ardhurat e shqiptarëve, rritje zero për qind

Partia Socialiste ka këndvështrimin e saj për të parë ecurinë e ekonomisë. Pavarësisht fakteve pozitive që deklaron qeveria dhe organizmat mbikëqyrës, PS servir fakte të saj. Sipas saj, të ardhurat e shqiptarëve janë rritur me zero për qind dhe pasiguria është më e lartë se kurrë. Ky është shqetësimi i ngritur nga nënkryetari i grupit parlamentar të PS-së, Erion Braçe. Sipas tij, varfëria në Shqipëri po thellohet çdo ditë e më shumë dhe pjesa më e madhe e qytetarëve, të ardhurat e tyre i përdorin për ushqim dhe energji elektrike. Varfëria ka qenë një fenomen në rritje gjatë vitit 2007 dhe 2008 dhe kjo ka dalë edhe nga raportet e publikuara nga ndërkombëtarët. Braçe është shprehur se FMN-ja duhet të qëndrojë në Shqipëri edhe vitin e ardhshëm, pasi është një vit elektoral i mbushur me zhvillime. Ndërkohë buxhetin e qeverisë, ai e ka krahasuar me skemat piramidale të ‘97-s. “Qeveria po shpërdoron paratë dhe borxhet e marra po e fusin vendin në krizë të pashmangshme”, – tha ai. Sipas tij, investimet publike kanë rënë në 1.2% të Produktit të Brendshëm Bruto. “I kërkojmë qeverisë që të rinovojë mandatin dhe marrëveshjen me FMN. FMN duhet të mbetet këtu. Kjo është si garanci për buxhetin 2009, i cili është një vit elektoral dhe që shoqërohet me rënie ekonomike në tërë botën. Ne kërkojmë garanci për zbatimin e këtij buxheti që reflekton çoroditje totale”. Sipas Braçes, të gjithë treguesit ekonomikë janë në rënie. “Qeveria ka parashikuar rritje ekonomike 6%, rritja të të ardhurave 0 për qind, rritje të të ardhurave nga doganat dhe tatimet zero%”, - tha ai.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›