Mediu: Pavarësisht nga debatet, e djathta të bashkohet
Pavarësisht nga debatet brenda partive të mazhorancës, kryetari i PR-së, Fatmir Mediu, insiston për bashkimin e së djathtës në zgjedhjet parlamentare të 2009-s. Gjatë një takimi me bazën e PR-së në Berat, Mediu apeloi se të gjitha subjektet e djathta duhet të bashkohen për të pasur me vete qytetarët shqiptarë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. "Bindja ime është që ne patjetër të bashkohemi brenda vetes sonë si e djathtë, pa hezitim, pavarësisht nga debatet, konjukturat, pavarësisht nga individët e ndryshëm dhe qejf mbetjet, pavarësisht nga idetë e ndryshme për të gjetur atë që është më racionale", - tha z. Mediu. “Në takim u diskutua autoriteti dhe roli që ka asambleja rajonale në organizimin dhe drejtimin e fushatës elektorale 2009, për qarkun e Beratit”, - bëri të ditur zëdhënësja e PR-së. Sipas tij, organizimi i degëve të PR-së në funksion të zgjedhjeve të 2009-s duhet të fillojë që tani, duke u shtrirë deri në komunën më të thellë. Kreu i PR-së u ndal edhe te progres-raporti vjetor i KE-së për Shqipërinë, duke e konsideruar atë një raport të rëndësishëm, që monitoron të gjitha zhvillimet politike, ekonomike dhe sociale. “Ne kemi mundësi të përfitojmë nga eksperienca evropiane për të rritur standardet tona dhe të bashkëqytetarëve tanë për të ecur së bashku edhe në zgjedhjet e 2009”, - tha kryerepublikani Fatmir Mediu.