E Diel, 1 Nëntor 2026

Këshilli i Evropës: OKB, hetim genocidit serb në Kosovë

Përfaqësuesi i Shqipërisë në KE i kërkon Organizatës së Kombeve të Bashkuara, që të hetojë gjenocidin serb në Kosovë. Zv.presidenti i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Aleksandër Biberaj, i bëri thirrje OKB-së që të hetojë vrasjet makabre të 10 mijë kosovarëve gjatë kohës së genocidit serb dhe për të tjerë që vazhdojnë të jenë të zhdukur. Z. Biberaj ishte pjesë e një delegacioni të KE-së, që ditët e fundit vizitoi OKB-në, së cilës iu kërkua hetimi mbi genocidin serb të kryer në Kosovë, ku u vranë mbi 10.000 kosovarë, si dhe rezultojnë akoma edhe sot me mijëra të zhdukur. Deputeti i PD-së njoftoi dje rreth takimeve të rëndësishme të kryera në OKB. Sipas tij, gjatë takimit me z. Francis Deng, Këshilltar Special për Çështjet e Genocidit dhe të Krimeve Masive, u diskutuan rastet e ndryshme që mund të klasifikohen si genocide. Një vend të veçantë në bisedë zuri edhe Ballkani me luftërat e tij, gjatë viteve 1990-1999. Duke u përqendruar tek Ballkani, z. Biberaj u fokusua dhe tek masakra e Srebenicës, si një rast i pastër genocidi, si dhe tek genocidi dhe spastrimi etnik i kryer në Kosovë nga ushtria serbe. Një takim të veçantë, delegacioni i KE-së pati me z. Jorge Urbina, kryetar i Këshillit të Sigurimit, si dhe me ambasadorë të vendeve të ndryshme, të akredituar në OKB. Në këtë takim u diskutua kryesisht për reformën, e cila po diskutohet prej kohësh në OKB dhe që parashikon zgjerimin e mëtejshëm të Këshillit të Sigurimit të OKB-së me anëtarë të rinj, si dhe rishikimi i së drejtës së vetos në Këshillin e Sigurimit, me qëllim kufizimin e përdorimit të saj apo edhe heqjen fare të saj. Z. Biberaj mbështeti idenë e zgjerimit të Këshillit të Sigurimit me anëtarë të rinj, si dhe atë të kufizimit të përdorimit të së drejtës së vetos, duke qenë më shumë në favor të heqjes së saj. Delegacioni i KE-së zhvilloi takime dhe me z. Alain Le Roy, nënsekretar i Përgjithshëm për Operacionet Paqeruajtëse, z. John Holmes, nënsekretar i Përgjithshëm për Çështjet Humanitare dhe Emergjencat, znj. Eva Busza, nga kabineti i sekretarit të Përgjithshëm, si dhe znj. Jane Holl Lute, asistente e sekretarit të Përgjithshëm. Në qendër të takimeve ishin probleme të ndryshme që shqetësojnë sot OKB-në dhe KE-në.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›