Veliaj huazon “ndryshimin” nga SHBA-ja
Dihet simpatia e Erion Veliajt për Presidentin e sapozgjedhur në SHBA, Barak Obama, por ai nuk është mjaftuar me aq, por ka nisur të bëjë slogane të lëvizjes së tij sloganet e Obamës, siç është parulla “ndryshim” apo thirrja “Ne mundemi”. Në një takim dje në urën vajgurore kreu i lëvizjes “G99” tha se “qershori është fjala kyç dhe moment i vërtetë i vendimit për të gjithë shqiptarët që dëshirojnë të ndryshojnë fatet e tyre, që dëshirojnë mundësi për fëmijët e tyre, që dëshirojnë një Shqipëri e cila nuk ju përket më kryeministrave dhe ish-kryeministrave të së kaluarës. “Ky takim ishte pjesë e një turi në Berat, Urë Vajgurore dhe Kuçovë që zhvilloi drejtuesi i “G99”. Veliaj foli me qytetarët për shqetësimet e gjendjes aktuale ekonomike dhe u tregua i ashpër për mungesën e vëmendjes ndaj shqetësimeve të përditshme edhe nga ana e forcave të majta. “Nuk kemi parë kurrë një konventë për varfërinë, nuk kemi parë kurrë një konventë për punësimin e të rinjve, për arsimin, ndërkohë që sapo preken interesat e ngushta politike ka forca që nuk ngurrojnë të shkrijnë dhjamin e tyre politik e financiar për të bërë sa më shumë zhurmë”, - tha Veliaj. Duke treguar nga grupi i të rinjve gjimnazistë dhe studentë, Veliaj tha “si ka mundësi që fëmijët e shqiptarëve të ndershëm nuk e kanë kurrë fatin të jenë aq të suksesshëm sa fëmijët që e kanë emrin Shkëlzen apo Argita? Në qershor ne duhet të lidhim një kontratë të re përmes votës sonë të lirë me ata që do të na drejtojnë për të ndryshuar fatin e fëmijëve të qytetarëve të ndershëm në Shqipëri”. “Ju bëj thirrje, mos të bëni kurrë pazar me votën tuaj, me të drejtën tuaj dhe fuqinë tuaj më të madhe për të marrë në dorë të ardhmen e vendit”.